Izraeli ka kërcënuar të shtojë sulmet kundër Hezbollahut në Libanin jugor, vetëm një ditë pasi Ministria e Shëndetësisë libaneze njoftoi se katër persona ishin vrarë në një sulm ajror izraelit.
Pavarësisht armëpushimit të nëntorit 2024, Izraeli vazhdon të mbajë trupa në pesë zona të Libanit jugor dhe po kryen sulme të rregullta ajrore në territorin libanez.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, akuzoi qeverinë libaneze për dështim në shpërbërjen e Hezbollahut.
“Hezbollahu po luan me zjarrin, ndërsa presidenti i Libanit po zvarritet,” deklaroi Katz. “Angazhimi i qeverisë libaneze për të çarmatosur Hezbollahun dhe për ta larguar nga jugu duhet të zbatohet. Masat do të vazhdojnë dhe madje do të intensifikohen – ne nuk do të lejojmë asnjë kërcënim për banorët tanë në veri.”
Deklarata e tij erdhi pas njoftimit të Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF), të cilat konfirmuan se kishin kryer një sulm ajror në qytetin Kfar Reman gjatë natës, duke vrarë katër anëtarë të njësisë elitare Radwan të Hezbollahut.
Sipas IDF-së, shënjestra kryesore ishte shefi i logjistikës së njësisë, i përfshirë në transferimin e armëve dhe në “përpjekjet për të rivendosur infrastrukturën terroriste” në jug të Libanit. Tre të vrarët e tjerë ishin gjithashtu pjesëtarë të njësisë Radwan, tha ushtria, duke shtuar se aktivitetet e tyre kishin shkelur armëpushimin.
Mediat libaneze i identifikuan viktimat si Jawad Jaber, Hadi Hamid, Abdullah Kahil dhe Muhammad Kahil.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, është dobësuar ndjeshëm pas më shumë se një viti lufte me Izraelin, por mbetet i armatosur dhe financiarisht i qëndrueshëm. Në shtator 2024, Izraeli vrau udhëheqësin e tij historik, Hassan Nasrallah, bashkë me disa drejtues të tjerë të lartë të grupit.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të në nëntor, Libani pranoi që vetëm forcat shtetërore të sigurisë të lejohen të mbajnë armë – një zotim që nënkupton çarmatimin e plotë të Hezbollahut.
Që atëherë, Bejruti është përballur me presion në rritje nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe rivalët e brendshëm të Hezbollahut për ta zbatuar këtë marrëveshje. Sipas burimeve të ushtrisë libaneze, të cituara nga Reuters, forcat e sigurisë kanë shpërthyer aq shumë depo armësh të Hezbollahut saqë u kanë mbaruar eksplozivët për t’i shkatërruar të gjitha. Megjithatë, ushtria përpiqet të ruajë një ekuilibër të brishtë, duke mbështetur marrëveshjen pa ndezur tensione të reja në vend.
Dikur forca dominuese politike dhe ushtarake në Liban, Hezbollahu është dobësuar rëndë nga lufta e vitit të kaluar me Izraelin, e cila vrau mijëra luftëtarë të grupit dhe më shumë se 1,100 civilë, kryesisht gra e fëmijë, ndërsa shkatërroi pjesë të mëdha të Libanit jugor dhe lindor.
Pas luftës, Hezbollahu është zotuar publikisht për respektimin e armëpushimit, duke shmangur sulmet kundër Izraelit dhe duke mos kundërshtuar sekuestrimin e depove të armëve nga forcat shtetërore. Megjithatë, grupi këmbëngul se çarmatimi vlen vetëm për zonat jugore, duke paralajmëruar se mund të reagojë nëse Izraeli zgjeron veprimet ushtarake.
Të enjten, trupat tokësore izraelite kryen një tjetër bastisje në jug të Libanit, që rezultoi me viktima, duke nxitur presidentin libanez, Joseph Aoun, t’u urdhërojë forcave të ushtrisë të përballen me “pushtimet” izraelite.
Në mesin e tetorit, Aoun kishte bërë thirrje për rifillim të bisedimeve me Izraelin, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ndërmjetësoi një armëpushim në Gaza. Por më vonë ai akuzoi Izraelin se iu përgjigj ofertës së dialogut me intensifikim të sulmeve ajrore në territorin libanez./TheGuardian