Izraeli ka kryer sulme ajrore në jug të Libanit, pasi më herët u bëri thirrje banorëve të largohen nga rreth 20 zona, raportojnë mediat shtetërore libaneze.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, të paktën një person është vrarë nga një sulm në qytetin Marrakeh, në distriktin e Tyre, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Më herët, kryeministri izraelit kishte paralajmëruar se vendi i tij do të godiste Hezbollahun nëse grupi vazhdon sulmet ndaj veriut të Izraelit.
Sulmet ndodhin në një kohë kur kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit po ndërmjetëson bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, deklaroi në platformën X se “jemi më afër se kurrë një marrëveshjeje paqeje”. Sipas tij, finalizimi i saj pritet “brenda 24 orëve të ardhshme”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve me SHBA-në është afër. Ai shtoi se marrëveshja parashikon gjithashtu përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.
Araghchi deklaroi se marrëveshja përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës amerikane ndaj Iranit, ndërsa bisedimet për programin bërthamor iranian do të zhvillohen në një fazë të mëvonshme.
Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar disa elemente të marrëveshjes, duke theksuar se përfitimet ekonomike për Iranin do të varen nga përmbushja e detyrimeve të marra nga Teherani.
Megjithatë, raportime të mëhershme nga SHBA-ja kanë sugjeruar se Libani mund të mos jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, ndërsa Irani ka insistuar për përfshirjen e tij.
Konflikti nisi më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli kryen sulme në territorin iranian. Në kundërpërgjigje, Irani sulmoi Izraelin dhe shtete aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, duke mbyllur praktikisht edhe Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.