Izraeli njofton krijimin e 11 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor
Qeveria izraelite ka njoftuar zyrtarisht të dielën krijimin e 11 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, si dhe legalizimin ose njohjen e tetë postblloqeve dhe “lagjeve” të ndërtuara më herët pa leje, duke i shpallur ato vendbanime zyrtare. Vendimi u bazua në një rezolutë të propozuar nga Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe Ministri i […]
Qeveria izraelite ka njoftuar zyrtarisht të dielën krijimin e 11 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, si dhe legalizimin ose njohjen e tetë postblloqeve dhe “lagjeve” të ndërtuara më herët pa leje, duke i shpallur ato vendbanime zyrtare.
Vendimi u bazua në një rezolutë të propozuar nga Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, e cila ishte miratuar nga kabineti i sigurisë më 12 dhjetor.
Vendbanimet e reja shtrihen në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor, disa thellë brenda territorit, ndërsa të tjerat përgjatë Vijës së Gjelbër që ndan Bregun Perëndimor nga Izraeli.
Ministri i Financave Smotrich ka deklaruar se ky hap synon të bllokojë krijimin e një shteti palestinez. Ai ka theksuar se qeveria izraelite po “korrigjon padrejtësi historike” dhe po rikthen disa vendbanime në hartën zyrtare të Izraelit, përfshirë Ganim dhe Kadim, të cilat ishin evakuuar në vitin 2005 në kuadër të tërheqjes izraelite nga Gaza dhe veriu i Samarisë, shkruan Times of Israel.
Sipas organizatës monitoruese Peace Now, disa nga këto vendbanime ekzistojnë prej dekadash, si Givat Harel i themeluar në vitin 1998 dhe Esh Kodesh në vitin 2000. Qeveria izraelite anuloi në vitin 2023 dispozitat ligjore që kishin çuar në evakuimin e katër vendbanimeve në veri të Bregut Perëndimor, duke hapur rrugën për rikthimin e tyre.
Me këto miratime të fundit, qeveria izraelite ka autorizuar ose legalizuar gjithsej 69 vendbanime të reja që nga ardhja e saj në pushtet në fund të vitit 2022.
Sipas Peace Now, numri i vendbanimeve në Bregun Perëndimor është rritur nga 141 në vitin 2022 në rreth 210 aktualisht, një rritje prej afro 50 për qind.















