Izraeli pushton një kështjellë në Liban ndërsa zgjeron ofensivën tokësore

Ushtria izraelite ka marrë nën kontroll kështjellën strategjike Beaufort në Libanin jugor, në kuadër të zgjerimit të operacioneve tokësore kundër Hezbollahut. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar këtë zhvillim si një “ndryshim vendimtar” në ofensivën ushtarake.

Sipas ushtrisë izraelite (IDF), trupat tokësore po depërtojnë gjithnjë e më thellë në territorin libanez, përtej vijës fillestare të demarkacionit në lumin Litani. Po ashtu, IDF ka zgjeruar zonën e evakuimit në jug të Libanit, duke u bërë thirrje banorëve të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kalaja Beaufort, e vendosur mbi luginën e Litanit, ka një rëndësi strategjike dhe historike, pasi është përdorur si pikë kontrolli për rajonin që nga koha e kryqëzatave, rreth 900 vite më parë. Izraeli e kishte marrë kontrollin e saj edhe më herët gjatë Luftës së Libanit në vitin 1982, para se të tërhiqej në vitin 2000.

Netanyahu deklaroi se operacioni përbën një “fazë vendimtare” dhe se Izraeli ka “thyer barrierën e frikës”.

“Po veprojmë në të gjitha frontet – në Siri, Gaza dhe Liban,” tha ai, duke shtuar se synimi është zgjerimi i kontrollit në zonat që më parë ishin nën Hezbollah.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se marrja e kalasë dhe kodrës përreth është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e qyteteve izraelite pranë kufirit.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka paralajmëruar sërish banorët në jug të Libanit të evakuohen, duke theksuar se çdo afrim pranë forcave të Hezbollahut apo objekteve të tij ushtarake rrezikon jetën e civilëve.

IDF njoftoi gjithashtu se operacionet tokësore po zgjerohen në zona të reja dhe se një numër i madh trupash po marrin pjesë në ofensivë, raporton BBC.

Nga ana tjetër, autoritetet libaneze kanë akuzuar Izraelin për “ndëshkim kolektiv” ndaj popullsisë civile.

Ministria e Shëndetësisë në Liban tha se 13 punonjës spitali janë plagosur nga një sulm ajror pranë spitalit Hiram në qytetin Tyre, në jug të vendit.

Izraeli konfirmoi gjithashtu vrasjen e një ushtari të tij, ndërsa shkollat në komunitetet pranë kufirit janë mbyllur për arsye sigurie.

Hezbollah ka lëshuar rreth 25 raketa drejt veriut të Izraelit, duke rritur më tej tensionet dhe frikën për përshkallëzim të konfliktit.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika