Izraeli rrit gatishmërinë pas vrasjes së kreut ushtarak të Hezbollahut në Bejrut
Pas vrasjes së shefit ushtarak të Hezbollahut, Haytham Ali Tabatabai, në një sulm të synuar ajror në Bejrutin jugor të dielën, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë ngritur nivelin e alarmit në veri, për shkak të mundësisë së një reagimi nga grupi i mbështetur nga Irani. Megjithatë, autoritetet izraelite nuk kanë ndryshuar udhëzimet për […]
Pas vrasjes së shefit ushtarak të Hezbollahut, Haytham Ali Tabatabai, në një sulm të synuar ajror në Bejrutin jugor të dielën, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë ngritur nivelin e alarmit në veri, për shkak të mundësisë së një reagimi nga grupi i mbështetur nga Irani.
Megjithatë, autoritetet izraelite nuk kanë ndryshuar udhëzimet për civilët dhe nuk kanë informacion konkret që sugjeron një breshëri të menjëhershme raketash nga Libani.
Ushtria izraelite ka forcuar mbrojtjen ajrore në kufi dhe ka ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave Ajrore, ndërsa Komanda e Frontit të Brendshëm nuk ka shpallur masa të reja për popullsinë.
Tabatabai, i konsideruar figura numër dy e Hezbollahut pas sekretarit të përgjithshëm Naim Qassem, ishte komandanti më i lartë i vrarë nga Izraeli që prej marrëveshjes së armëpushimit të nëntorit 2024.
Irani reagoi ashpër të hënën, duke e quajtur vrasjen një “shkelje flagrante” të armëpushimit dhe të sovranitetit libanez. Në ndërkohë, Izraeli akuzon Hezbollahun për shkelje të përsëritura të marrëveshjes dhe tentativa për të rindërtuar kapacitetet ushtarake, duke kërcënuar se nuk do të presë pafundësisht.
Situata në kufirin verior mbetet e tensionuar, ndërsa Shefi i Shtabit të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir, ka urdhëruar një stërvitje të papritur që synon testimin e gatishmërisë në rast të zhvillimeve të papritura.















