Izraeli ka marrë një listë të pengjeve që do të lirohen nga Gaza të shtunën nga grupi militant palestinez Hamas, thanë zyrtarët, pas lirimit të 24 pengjeve një ditë më parë, të një armëpushimi katërditor të planifikuar.

Zyrtarët izraelitë të sigurisë po shqyrtojnë listën, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu në një deklaratë, pas zotimit të qeverisë së tij për të punuar për lirimin e të gjithë pengjeve të marra nga Hamasi në një sulm ndaj Izraelit më 7 tetor, shkruan Reuters.

Ndryshe, të shtunën, grupi radikal palestinez, Hamas, ka liruar 24 pengje që i mbajti rob në Gazë për javë të tëra, ndërkaq Izraeli liroi 39 palestinezë, në ditën e parë të marrëveshjes së armëpushimit.

Armëpushimi, sipas marrëveshjes së arritur më herët gjatë javës mes Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – , do të zgjasë katër ditë.

Sipas Katarit, shtet kyç në arritjen e marrëveshjes, janë liruar 13 izraelitë, dhjetë shtetas të Tajlandës dhe një nga Filipinet.

Pengjet izraelite – gra dhe fëmijë – pas lirimit u rikthyen në Izrael dhe zyrtarët izraelitë thanë se ata iu nënshtruan kontrolleve mjekësore. Pas kontrolleve, ata do të ribashkohen me familjet e tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mirëpriti lirimin e pengjeve dhe tha se Qeveria e tij është e përkushtuar për rikthimin e të gjitha pengjeve.

Sipas tij, lirimi i të gjitha pengjeve, është “një prej qëllimeve të luftës që ne po zhvillojmë dhe ne jemi të përkushtuar që të arrijmë të gjitha qëllimet e luftës.

Ndërkaq, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se ka nisur “operacionin disaditor” për të ribashkuar pengjet dhe të burgosurit në të dyja anët e konfliktit midis palestinezëve dhe izraelitëve.