Ushtria izraelite (IDF), ka urdhëruar banorët e 16 qyteteve dhe fshatrave në jug të Libanit të evakuohen menjëherë drejt zonës së Sidonit.
Sipas zëdhënësit të IDF për gjuhën arabe, Avichay Adraee, evakuimi përfshin këto zona Ghndouriyeh, Burj Qlawiyeh, Qlawiyeh, al-Sawana, al-Jumayjima, Safad al-Batikh, Braashit, Shaqra, Aita al-Jabal, Tibnin, al-Sultaniyya, Bir al-Sanasil, Dounin, Khirbet Silm, Salaa dhe Deir Qifa.
IDF ka deklaruar se sulmet po kryhen pasi, sipas saj, Hezbollahu ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e nënshkruar me shtetin libanez në mes të prillit.
Sipas raportimeve, sulmet ajrore izraelite që nga fillimi i armëpushimit më 17 prill kanë shkaktuar të paktën 40 viktima në Liban.
Në marrëveshjen e armëpushimit thuhet se Izraeli ruan të drejtën për të ndërmarrë masa në vetëmbrojtje në çdo kohë, ndaj sulmeve të planifikuara, të afërta apo në zhvillim, raporton The Guardian.
Nga ana tjetër, Hezbollahu ka deklaruar se nuk do të ndalë sulmet ndaj forcave izraelite në Liban dhe zonave në veri të Izraelit, për sa kohë që, sipas tij, vazhdojnë shkeljet e armëpushimit.
Presidenti libanez Joseph Aoun ka kërkuar negociata të drejtpërdrejta me Izraelin për t’i dhënë fund sulmeve, ndërsa Hezbollahu e kundërshton këtë qasje.
Ndërkohë, organizata Mjekët pa Kufij ka dënuar shkatërrimin e fshatrave në jug të Libanit, duke thënë se ofensiva tokësore izraelite ka bllokuar kthimin e banorëve në rreth 55 fshatra.