Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftojnë se po vazhdojnë sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran.

Në një deklaratë të shkurtër të postuar në Telegram, IDF shkroi se “Forcat Ajrore Izraelite vazhdojnë të godasin objektiva në Iran”.

Komentet u postuan së bashku me një video që tregonte pamje nga sulmet ajrore.

Kjo vjen më shumë se 24 orë pas sulmit fillestar të Izraelit në bazat ushtarake të Iranit, i cili vrau tre komandantë ushtarakë iranianë, sipas IDF, shkruan BBC.

Që atëherë, Irani ka nisur sulme me raketa ndaj Izraelit deri të shtunën në mëngjes.

Ndryshe, Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive të kryera nga Izraeli ndaj objekteve bërthamore dhe bazave ushtarake të Iranit të premten në mbrëmje.

Më pas, një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa.

Shumica prej tyre, pretendoi ai, janë rrëzuar apo nuk kanë arritur caqet.

“Një numër i kufizuar i ndërtesave janë goditur, disa si rezultat i mbetjeve nga raketat e rrëzuara nga sistemet kundërajrore”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee përmes një postimi në X.

Paraprakisht, ushtria izraelite deklaroi përmes një postimi në po të njëjtën platformë se “civilët izraelitë aktualisht janë duke u shënjestruar nga regjimi iranian. Bota nuk mund të rri e heshtur”.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Iranin që të arrijë një marrëveshje bërthamore “para se të jetë tepër vonë”.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë thanë për agjencitë e lajmeve se sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore të SHBA-së po ndihmojnë në rrëzimin e raketave që Irani ka lëshuar në shenjë hakmarrjeje ndaj Izraelit.

Sirenat për sulme ajrore dhe shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Jerusalem dhe Tel Aviv të premten mbrëma.

Disa minuta më vonë u pa tym mbi qiellin e Tel Avivit. Sipas mediave iraniane, qindra raketa balistike janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive ajrore të kryera nga Izraeli.

Pas sulmit, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Izraeli ka “iniciuar një luftë” dhe nuk do të lejojë që Izraeli të kryejë sulme pa u përballur me pasoja të rënda.

“Izraeli nuk mund të kalojë pa bartur pasoja për krimet e tij. Shteti iranian duhet të sigurohet që përgjigja jonë nuk do të jetë gjysmake”, tha Khamenei përmes një deklarate.

Sulmet iraniane drejt Izraelit vijnë pasi ky i fundit kreu valën e dytë të sulmeve gjatë së premtes, duke shënjestruar Teheranin, Komin dhe Karaxhin.

Uzina për pasurimin e uraniumit Fordov gjendet në periferi të Komit, por ende nuk ka konfirmim nëse kjo ndërtesë bërthamore është sulmuar, tha televizioni izraelit, Channel 13.

Sipas reporterëve izraelitë, qëllimi është që të vazhdohen sulmet ndaj bazave ushtarake iraniane, në mënyrë që të shkatërrohen raketat dhe që Iranit të privohet nga çdo aftësi ushtarake për një kundërsulm ndaj Izraelit.

Izraeli nisi sulmet mëngjesin e së premtes, duke shënjestruar objektet bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin, duke i vrarë gjeneralë e zyrtarë të lartë ushtarakë, dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme.

Irani u përgjigj valës së parë të sulmeve, duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.

Ndër objektet e goditura në valën e parë të sulmeve në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.