“Ja me çfarë mburren përplot delir popullist”, reagon Abdixhiku ndaj Qeverisë Kurti 2 pasi Spanja njohu pasaportat
“Ja me çfarë mburren përplot delir popullist”, kështu ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Sipas të parit të LDK-së kjo qeveri nuk i ka sjellë vendit as një njohje përgjatë këtyre tri viteve dhe i ka shkaktuar humbje prej 300 milionëshe. “Me njohje pasaportash por […]
“Ja me çfarë mburren përplot delir popullist”, kështu ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Sipas të parit të LDK-së kjo qeveri nuk i ka sjellë vendit as një njohje përgjatë këtyre tri viteve dhe i ka shkaktuar humbje prej 300 milionëshe.
“Me njohje pasaportash por asnjë njohje të re në tre vjet. Njohja e fundit ishte nga Izraeli, 3 vite më parë; pa ta! Asnjë njohje, asnjë anëtarësim! Sanksione e mbi 300 milion euro humbje nga ky izolim!”, ka deklaruar Abdixhiku.
“Mburren me mbledhjen e faturave në veri nga ‘ELEKTROSEVERI’, kompani në pronësi të shtetit të Serbisë. Ka mbi 7 vite që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje madje dhe me protestë. Sot marrëveshjen e njëjtë e trumpetojnë si histori”, ka shtruar i pari i LDK-së.
“Mburren me liberalizim, proces që e kishin ndërprerë me dhunë qysh në vitin 2016. Asokohe, Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia ishin në një paketë. 7 vite të humbura për një kauzë që e kanë harruar tashmë. I thonë demarkacion”, ka thënë ai.
Më tej ai ka thënë se “këto 3 vite janë të humbura në plotni”, pasi sipas Abdixhikut Kosova ka mbetur “pa projekte madhore, pa arritje kapitale, pa forcim të shtetësisë ndërkombëtarisht”.
“Kosova mundet më mirë! Kosova meriton shumë më mirë!”, ka përfunduar ai.















