Jakup Krasniqi deklarohet i pafajshëm, thotë se asnjëherë nuk ka kryer krime

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm pas zgjerimit të aktakuzës ndaj tij dhe ndaj ish- krerëve të tjerë të UÇK-së. Ai ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk e ka kryer asnjë nga krimet që pretendohen në aktakuzë

Lidhur me akuzat e reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjilan, Budakovë dhe Seminishtë, në seancën e së martës, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi  është deklaruar i pafajshëm.

Para trupit gjykues, Krasniqi është shprehur se i ka lexuar shtesat e aktkauzës teksa ka thënë se e ka të vështirë ta kuptojë një aktakuzë të tillë, sepse, siç ka thënë ai, asnjëherë nuk ka kryer krime të tilla që supozohen në shtesën e aktakuzës.

Ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të përshpejtohet dhe të përfundojë sa më shpejt në mënyrë që, sipas tij, të dalë në pah pafajësia e tij.

Krasniqi ka potencuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka qenë luftë e drejtë dhe se ka shërbyer për lirinë e vendit.

“Unë zoti gjyqtar e kam lexuar aktakuzën me shtesën e fundit, dhe mund të them me bindje të plotë se e kam vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin, mbase jam i bindur se veprat e tilla kurrë nuk i kam kryer në jetën time, prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm, dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe mos të na mbajë kaq gjatë padrejtësisht në paraburgim”, ka deklaruar Krasniqi.

Tutje, në fjalën e tij Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk e ka menduar se do të akuzohet nga një gjykatë që, sipas tij, mbështetet vetëm mbi gënjeshtrat e shtetit serb

“…mbase jam gabim por kurrë nuk kisha besuar sikur mos të ishte ky rast se juristët e shkolluar në vendet me demokraci liberale me traditë, që pretendojnë që punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile, për të bërë drejtësi standarde guxojnë të ngritin një akuzë që mbështetet vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë jetën, lirinë e të drejtën e indeividit dhe jo vetëm, madje ia godet tepër rëndë, e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me një padrejtësi të madhe”, ka deklaruar Krasniqi.

Pos Krasniqit, edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së martë janë deklaruar të pafajshëm.

Ndonëse Thaçi ka pohuar se e ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar të datës 29 prill 2022, ai ka deklaruar se aktakuzën e re nuk e ka kuptuar për shkak të redaktimeve të shumta.

“Nuk i kam kuptuar për arsye se nuk kam pasur mundësi t’i lexoj ato, sepse janë shumë të redaktuara”, ka thënë Thaçi kur është pyetur se a i ka kuptuar se çfarë duan të thonë akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar.

“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, Veseli, teksa është deklaruar i pafajshëm ka kërkuar që procesi gjyqësor të nisë sa më shpejt, në mënyrë që të shprehë pafajësinë e tij.

Kur Veseli pyetet nga Gjykatësi Nicolas Guillou, nëse e ka pranuar dhe kuptuar aktakuzën e ndryshuar me akuzat e reja dhe të konfirmuar, ai e ka pohuar një gjë të tillë.

“I kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe të kem të drejtën time që të shpreh pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar”, ka thënë Veseli.

“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Veseli.

Ndryshe, ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.

Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’ju rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.

“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës

Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së i kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.

“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Gjykata Speciale në Hagë.

Një pjesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka çasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.

Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.

Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo në uniformë ushtarake.

“Në fund të korrikut 1999, [REDAKTUAR] u dërgua me veturë nga vendi i tij i punës në Konviktin e Gjilanit/Gnjilane. 2 Në konvikt, ai u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe kartën e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit. 4 Atij nuk iu tha arsyeja e ndalimit apo arrestimit dhe nuk u akuzua për kryerjen e ndonjë krimi”

Për këto anekse të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca ku të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.

Deri më tash asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë, të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika