Jasharaj me akuza ndaj Kurtit: Ty dhe qeverinë do t’ju zë mallkimi i minatorëve
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim e Shkencë (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Qeverisë duke thënë se do t’i zë mallkimi i minatorëve të Trepçës të cilët janë në grevë qe pesë ditë. Në një komunikatë për media, Jasharaj ka shprehur shqetësimin e tij […]
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim e Shkencë (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Qeverisë duke thënë se do t’i zë mallkimi i minatorëve të Trepçës të cilët janë në grevë qe pesë ditë.
Në një komunikatë për media, Jasharaj ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen e rënduar shëndetësore të minatorëve dhe mosreagimin institucional.
“Kur ke pak kohë të lirë o kryeministër Kurti, në vend që të pini çaja e të bëni reklama koti, merre Qeverinë dhe shumë ushtarë të Facebook-ut dhe vizitoni minatorët me apo pa grevë. Ti kthehu me qeveritarët për të vazhduar dialogun e ushtarët tuaj të rrjeteve sociale urdhëroj të kalojnë, bile, një ditë nën thellësitë e tokës së Kosovës dhe të ndajnë fatin e “mirë” me minatorët”, ka shkruar Jasharaj.
Ai ka thënë se gjatë ditës së djeshme ka vizituar minatorët që janë në grevë, të cilët sipas tij, “mallkonin institucionet”.
“Kryeministër Kurti ty nuk po të lë hapësirë në këtë shkrim se je shumë i zënë me dialogun, por anëtarët e Qeverisë që t’i drejton dhe ca deputet nga partia jote do t’i zë mallkimi i minatorëve grevistë që mezi marrin frymë në galerinë 800 metra nën tokë. I vizitova dje dhe teksa po pritnim të lëshoheshim në brendësitë e tokës , nga atje nxorën grevistë me gjendje të renduar shëndetësore e ata mallkonin institucionet dhe mendje e kishin të kolegët e tyre në thellësitë e nëntokës së Kosovës”, ka thënë tutje Jasharaj.
Ai ka pasur kritika edhe për deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha të cilin e ka quajtur të “asgjëdijshëm”.
“Kryeministër, ti nuk ke kohë për minatorët, por dërgoje këtë farë Dimal Bashën, që është i asgjëdijshmi, e që bën propagandë kundër minatorëve grevistë për pagat e tyre. Kryeministër ata janë në grevë thellë nën tokën e Kosovës, sepse as edhe një herë nuk janë të sigurt se do të marrin pagat e tyre”, ka theksuar ai, shkruan kp.
Minatorët e “Trepçës” po e vazhdojnë grevën me kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit.
Ndryshe, të premten, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga detyra pas mbledhjes së Bordit mbikëqyrës të Minierës së Trepçës, duke hedhur akuza për presion.
Ndërkaq, dje, Ministria e Ekonomisë ka thënë se është njoftuar me kërkesat e grevistëve më 24 tetor dhe se qeveria ka ndarë mjete një ditë para grevës dhe se ndërmarrja ka ekzekutuar pagat një ditë pasi kishte filluar greva.















