Jasharaj për koeficientin e pagave: Më mirë ta kemi një ligj të tillë, sesa të kthehemi në pikën zero e të bëjmë kërkesa për greva
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë RTV Dukagjinin se mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 eurosh, sepse kërkesa e tyre kishte qenë që të ishte 120 euro. “Nuk po them që jemi të gëzuar, por kemi pritur më shumë. Por konsideroj, […]
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë RTV Dukagjinin se mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 eurosh, sepse kërkesa e tyre kishte qenë që të ishte 120 euro.
“Nuk po them që jemi të gëzuar, por kemi pritur më shumë. Por konsideroj, më mirë ta kemi ligjin e pagave të tillë siç është, me shpresën që qeveria do ta ngritë vlerën e koeficientit në 110 euro. Më mirë ta kemi një ligj të tillë, sesa të kthehemi në pikën zero e të na ndodhin kërkesa për protesta e greva e të vijmë përsëri këtu ku jemi ”, ka thënë Jasharaj për Dukagjinin.
Më tej, ai ka thënë se edhe me koeficientin prej 105 eurosh, ka rritje të pagave për mësimdhënësit parauniversitarë në mesatare prej 100 eurosh.
“Nëse e krahasojmë pagën e muajit janar me pagën e muajit shkurt, atëherë ligji i pagave në arsimin parauniversitar sjell një rritje page prej 100 eurosh. Pak më të gëzuar jemi sa u përket çerdheve dhe punëtorëve teknikë, sepse ata kishin paga shumë të vogla, hetohet një ngritje”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se në administrata nëpër universitete publike situata është më e keqe, për shkak të koeficienteve shumë të ulët, dhe sipas tij kjo nënkupton se nuk do të ketë rritje page por mund të ketë vetëm zbritje.
Ai ka përfunduar duke thënë se ngritja e pagës prej 100 eurosh do t’i ndihmojë që sado pak të përballen me inflacionin.















