Kur kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, situata politike vazhdon të mbetet e bllokuar, pa sinjale konkrete për arritjen e një marrëveshjeje mes partive.
Në këtë kontekst, avokati Arbër Jashari ka deklaruar se zgjidhja e krizës institucionale varet vetëm nga vullneti politik i partive, duke thënë se një marrëveshje mund të arrihet edhe në pak minuta nëse ekziston gatishmëria.
Sipas tij, mungesa e vullnetit politik dhe qasja jo konstruktive e subjekteve politike po e mban vendin në një situatë të pasigurt.
“Nëse ka vullnet politik besoj që një gjë e tillë është e mundshme deri në çastet e fundit. Nuk duhen 11 ditë, por munden 11 minuta ose gjysmë ore për partitë politike që të merren vesh. Dhe të ia japin Kosovës një zgjidhje. Më konkretisht të dilet më një vendim unik për presidentin e ardhshme të Republikës së Kosovës. Por, thjesht mungon vullneti politik dhe qasja konstruktive e partive politike. Si duket kohëve të fundit ta një tendencë që të përafrohen LVV me LDK-në, për mua nuk është shumë me rëndësi se me kë VV-ja vendos që të në zgjidhjen e kësaj çështje, për mua është me rëndësi që vendi të mos shkoj në zgjedhje. Sepse Kosova është lodhur shumë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe nga krizat e njëpasnjëshme. Dhe se çdo variant tjetër përpos zgjedhjes së presidentit të ri, do të ishte më i keq për vendin”, ka thënë Jashari.
Aktualisht, partitë politike vazhdojnë të mos kenë një konsensus për emrin e presidentit, ndërsa për zgjedhjen e tij nevojiten 80 vota në dy raundet e para të votimit.