Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka folur në Kuvend edhe pas përfundimit të seancës së 43-të konstituive duke kritikuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për mos arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Gjendem këtu sepse edhe sot, në tentativën e 43-të, VV-ja sillet sikur të kishte mbi 50% të votave. Ky është realiteti politik që po e mban peng Kuvendin”, u shpreh Jashari në deklarimin e saj nga foltorja.

Ajo ka theksuar se kompromisi i Vetëvendosjes nuk është real, duke e quajtur të njëanshëm insistimin për të votuar vetëm një emër, në mënyrë të fshehtë.

Sipas saj, PDK-ja ka treguar vullnet për zgjidhje dhe ka bërë hap pas duke pranuar që të votojë shumicën e emrave të propozuar nga VV.

“Pretendojnë se kompromis është ta votojmë vetëm një emër, dhe atë në mënyrë të fshehtë. Ky nuk është kompromis. Kompromis është kur PDK-ja ka thënë: ne do t’i votojmë shumicën e emrave të VV-së për ta zgjidhur këtë situatë. Atëherë më tregoni, çfarë zgjidhje po kërkohet kur zgjidhja gjendet përpara jush?”, ka deklaruar ajo.