Java në Kosovë do të nisë me mot kryesisht të qëndrueshëm, të ngrohtë dhe me intervale të gjata me diell. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat gjatë ditëve të para të javës do të jenë mbi vlerat tipike për fillimin e shtatorit.
Të hënën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C, ndërsa maksimalet nga 27 deri në 31°C.
Moti i ngrohtë do të vazhdojë edhe të martën, me temperatura minimale nga 8 deri në 11°C dhe maksimale nga 29 deri në 32°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtime të ndryshme.
Të mërkurën temperaturat do të shënojnë vlera edhe më të larta. Minimalet pritet të jenë nga 8 deri në 11°C, ndërsa maksimalet nga 28 deri në 33°C. Temperaturat më të larta, deri në 33°C, priten në Prizren dhe Gjakovë.
Ndryshimi i motit pritet të nisë të enjten, më 10 shtator. Sipas IHMK-së, moti do të jetë më i ndryshueshëm, me intervale me diell dhe vranësira, ndërsa priten edhe reshje shiu, të cilat lokalisht mund të shoqërohen me shkarkime rrufesh.
Të enjten temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 13°C, ndërsa maksimalet nga 27 deri në 31°C. Era do të jetë mesatare, lokalisht e fortë, nga verilindja dhe veriperëndimi.
Të premten, pas reshjeve të së enjtes, pritet mot më i freskët, me diell dhe vranësira të ndryshueshme. Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 13°C, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 30°C.
Sipas IHMK-së, rënia më e theksuar e temperaturave maksimale pritet në zonat malore.