Moti gjatë kësaj jave në Kosovë pritet të jetë kryesisht stabil, me diell dhe vranësira të shpërndara, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).
Sipas parashikimeve, të premten në disa zona mund të ketë riga shiu të dobëta.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale nga 18 deri në 25°C.
IHMK vlerëson se këto kushte janë të favorshme për bujqësinë, pasi temperaturat në rritje dhe rrezatimi diellor ndihmojnë zhvillimin e kulturave pranverore.
Po ashtu, lagështia në tokë mbetet në nivel të mirë falë reshjeve të mëparshme, duke mundësuar mbirje dhe zhvillim të suksesshëm të kulturave të sapombjella.
Në fillim të javës, sidomos në zonat malore dhe ato të ulëta, ekziston rreziku i ngricave të lehta, ndaj rekomandohet kujdes për kulturat e ndjeshme.
Në përgjithësi, java pritet të jetë e përshtatshme për zhvillimin normal të bimëve dhe për kryerjen e aktiviteteve agroteknike në terren.