Gjykatësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Mihael Bolander, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Sipas njoftimit të Speciales, Bolander ka dhënë dorëheqje për arsye personale, ndërsa, kishte deklaruar se ndihej i nderuar që kishte shërbyer si gjykatës.

“Të mërkurën, gjykatësi Mihael Bolander i dorëzoi kryetares, Ekaterina Trendafilova, dorëheqjen e tij si gjykatës në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK). Gjykatësi, Bolander, i cili dha dorëheqje për arsye personale, deklaroi se ndihej i nderuar që kishte shërbyer si gjykatës i DHSK-së”, thuhet në njoftimin nga Dhomat e Specializuara.

Mihael Bolander

Po ashtu, kryetarja Trendafilova ka shprehur mirënjohje për kontributin e tij si gjykatës, duke përfishirë edhe punën e tij si anëtar i panelit të Gjykatës Supreme.

“Trendafilova shprehu mirënjohjen e sinqertë për kontributin e gjykatësit Bolander në mandatin e DhSK-së, përfshirë edhe së fundi, si anëtar i panelit të parë të Gjyaktës Supreme”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Dhomat e specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të cilat ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.

Pamje nga Dhomat e Specializuara në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur aktakuza për krime lufte në Kosovë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, si dhe ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.