Jeta e Elvedinës përballë dhunës në familje
Me personat të cilët për vite të tëra i shkaktuan dhunë fizike e psikike e ndanë vetëm një mur jo fort i lartë. Distanca është fare e vogël, ndërsa Policia ka urdhër që ish-bashkëshorti i saj, vëllai e babai i tij, të mos i lejojë t’i afrohen. B.H, ish-bashkëshorti i 32 vjeçares u dënua nga […]
Me personat të cilët për vite të tëra i shkaktuan dhunë fizike e psikike e ndanë vetëm një mur jo fort i lartë.
Distanca është fare e vogël, ndërsa Policia ka urdhër që ish-bashkëshorti i saj, vëllai e babai i tij, të mos i lejojë t’i afrohen.
B.H, ish-bashkëshorti i 32 vjeçares u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas me 1 vit burgim me kusht, për dhunë në familje, e për shkelje të urdhrit mbrojtës, dënim unik prej 3 muajve burgim, por që iu zëvendësua me gjobë prej 1 mijë e 400 eurove.
Edvina Hajdari nënë e 4 fëmijëve tregon se jetesa në këtë shtëpi, është bërë e papërballueshme për shkak të dhunës psikike që i shkaktohet nga familjarët e ish-burrit, derisa kërkon ndihmën e institucioneve.
“Unë nuk mundem me jetu qështu si kam jetuar, po jetojmë në të ftohtë, nuk po mundem gjithmonë me stres me frikë kur po vjen kur po ndodhë dicka qysh po ndodhë, qa po vjen ma larg ose më afër, qysh po ndikon te fëmijët, se fëmijët nashta rriten më qetë nëse unë largohem por e di gjithmonë kan me pasë një traume, se e kanë përjetu dhunën që e ka përdorë në mua e kanë përjetuar edhe ata, shpresoj që gjykata e merr një vendim të mirë e të drejtë”, ka thwnw Elvedina Hajdari – Viktimë e dhunës.
Ajo për shkak të të ardhurave të ulëta, u detyrua të e mbajë vetëm vajzën më të vogël, e për 3 fëmijët e tjerë të ia kaloj kujdestarinë ish-bashkëshortit.
“Tani që e kam besimin vetëm të vajzës së vogël i marr vetëm 100 euro, është e vështirë, me kërku ndihmë nga të gjithë, sidomos në qendrën për punë sociale jam duke kërkuar vazhdimisht ndihmë, mi kanë pru 2metra dru, mos me qenë kjo nxemse me rrymë tepër e vështirë, kjo vajza e vogël është me bronhit prej 3 muajve, edhe si të ftohet i ndikon këtu”, ka shtuar Elvedina Hajdari – Viktimë e dhunës.
Hajdari, dhunën që e kishte përjetuar nga bashkëshorti e kishte raportuar, në vitin 2017, por më pas thotë se ishte pajtuar për shkak të fëmijëve, por megjithatë dhuna kishte vazhduar.
“Unë rastin tash e kam raportuar para dy viteve 11 korrik 2021, kam pasur dhunë edhe më herët e kam raportuar edhe para 5 viteve, por jam munduar me u pajtu hatri i fëmijëve , edhe dhuna është përsëritur, 2021, e kam raportuar përsëri për shkak dhunës fizike e psikike jam shkuar në strehimore”, ka theksuar Elvedina Hajdari – Viktimë e dhunës.
Në Qendrën për punë sociale në Drenas përmes telefonit kanë thënë se i kanë përmbushur të gjitha obligimet që kanë pasur dhe se vazhdimisht e ndihmojnë atë.
E në një përgjigje nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë sqaruar se vëllai i ish-bashkëshortit të 32 vjecares është i akuzuar për mospërfillje të gjykatës dhe se fjalët përfundimtare do paraqiten më 2 mars.
Sipas përgjigjes, edhe ndaj bashkëshortit të saj është duke u zhvilluar edhe një procedurë tjetër gjyqësore për mospërfillje të gjykatës, ku seanca e radhës do mbahet në këtë muaj, dhe se për asnjërin nuk ka pasur kërkesë për paraburgim.
“1. Në rastin ku është i akuzuar vëllai i bashkëshortit të E.H, i pandehuri A.H nga Fushtica e Epërme, Komuna e Drenasit, i njëjti është akuzuar në procedurë të rregullt, nuk ka pasur kërkesë për caktim të paraburgimit, sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë PP.II.nr.359/22, e dt.06.06.2022, e pranuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega Drenas me dt.09.06.2022, për vepër penale Mospërfillja e gjykatës, të parashikuar nga neni 393 par.1. të KPRK-së. Në këtë rast gjykata është në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, ku me datë 02.03.2023 palët do të paraqesin fjalën përfundimtare.
- Në rastin ku është i akuzuari bashkëshorti i E.H, i pandehuri B.H nga Fushtica e Epërme, Komuna e Drenasit, i njëjti është akuzuar në procedurë të rregullt, nuk ka pasur kërkesë për caktim të paraburgimit, sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë PP.II.nr.767/22F, e dt.06.01.2023, e pranuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega Drenas me dt.12.01.2022, për vepër penale Mospërfillja e gjykatës, të parashikuar nga neni 393 par.1.të KPRK-së. Edhe në këtë rast gjykata është në shqyrtim dhe mbajtje të seancave gjyqësore, ku shqyrtimi fillestar ka përfunduar, ndërsa shqyrtimi i dytë është caktuar të mbahet me datë 23.02.2023”, ka Gjykata Themelore në Prishtinë.Për rastet ose kërkesën për paraburgim, televizioni ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë por ata nuk janë përgjigjur.















