Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin në rastin e vrasjes së biznesmenit të njohur Bedri Rexhepi, duke dënuar Jeton dhe Nexhat Vllasaliun me burgim të përjetshëm.

Vendimi u prit me duartrokitje nga të pranishmit në sallën e gjyqit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dy të pandehurit janë ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”, duke vepruar në bashkëkryerje. Vrasja është kryer nga 9 janari deri më 8 prill të vitit 2021, pas një planifikimi të detajuar dhe të qëllimshëm për përfitim material.

Jeton Vllasaliu kishte shfrytëzuar besimin që viktima kishte ndaj tij, duke e mashtruar përmes shitjes së dy veturave – një “Range Rover” dhe një “BMW X3” – për 30 mijë euro. Në ditën e krimit, ai e kishte ftuar Rexhepin në shtëpinë e Nexhat Vllasaliut në fshatin Vllasali, ku ishte planifikuar vrasja.

Sipas aktakuzës, në mënyrë tinëzare, Jetoni e kishte ngufatur viktimën me qëllim të përvetësimit të shumës prej 30 mijë eurosh, por në trupin e tij kishte gjetur vetëm 8 mijë euro, të cilat i ndau me bashkëpunëtorin e tij. Kufoma u mbështoll me qese najloni dhe perde shtëpie, dhe më pas u varros fshehtas në një zonë të quajtur Mali i Madh në fshatin Vllasali.

Për më shumë se një vit trupi i viktimës nuk u gjend, derisa më 30 shtator 2022 u zbuluan mbetjet mortore që besohet se i përkasin viktimës.