Qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë mbledhur të enjten në Prishtinë, në kuadër të marshit “Jo në emrin tim”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Marshi po zhvillohet në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, me të cilin ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit, duke kërkuar drejtësi dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ata kanë bërë thirrje që kundërshtimi ndaj aktgjykimit të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Protesta e së enjtes vjen pas një varg protestash të zhvilluara gjatë 15 ditëve të fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundërshtimit të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.