Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, në “Debat Plus” ka thënë se menaxhmenti i Trepçës e ka shkarkuar si shenj hakmarrje, sipas tij, sepse ka menduar ndryshe.

Jonuzi tha se ai është akuzuar se ka qenë organizator i grevës e që kjo, sipas tij, nuk qëndron.

Ai theksoi se kushtet e minatorëve të Trepçës janë tejet të vështira.

“Arsyetimi është se unë jam organizator i grevave dhe nuk kam paraqitur grevën në bazë të rregullores dhe ligjit. Një gjë e tillë është e pabazuar, nuk e kam organizuar unë, iniciativa ka qenë e minatorëve. Tash e 4 muaj minatorët nuk i marrin pagat me kohë… Atje mungojnë kushtet elementare për punë”, tha ai.

Tutje, ai e fajësoi menaxhmentin e Trepçës për mungesë të menaxhimit të mirë. Sipas tij, kjo ndërmarrje është në kolaps.

“Të thuash se ka menaxhim, kurse çdo muaj të subvencionosh Trepçën miliona euro, është pikëpyetje nga po shkon prodhimi. Investime nuk ka, mjete të punës nuk ka, jemi pranë kolapsit. Me ato mjete që punojmë, e rregullojmë pastaj prishet, në fund po mbahen minatorët përgjegjës”, tha ai.

Sipas Jonuzit, menaxhmenti aktual për dy vite nuk ka komunikuar me minatorët.