Julian Assange do ta pranojë fajësinë dhe do të lirohet nga burgu

Julian Assange, themeluesi i WikiLeaks, pritet të pranojë fajësinë për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh, në një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë që do ta lirojë atë nga burgu dhe do t'i lejojë kthimin në Australi, duke përfunduar një" sagë ligjore" 14-vjeçare

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange.

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, pritet ta pranojë të mërkurën fajësinë për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh, në një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë, e cila do ta lirojë atë nga burgu dhe do ta lejojë të kthehet në shtëpinë e vet në Australi, duke i dhënë fund një sage ligjore 14-vjeçare.

Assange, 52 vjeç, u pajtua për ta pranuar fajësinë për një akuzë penale, konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane, sipas dosjes së Gjykatës amerikane të Qarkut në ishujt verior Mariana.

Të mërkurën, ai pritet të dënohet me 62 muaj burgim, periudhë kohore që tashmë e ka kryer.

Prokurorët thanë se seanca do të mbahet në ishullin amerikan Saipan të Oqeanit Paqësor, pasi Assange nuk pranoi të udhëtonte në SHBA dhe pasi ishulli ndodhet afër Australisë.

Assange u largua nga burgu Belmarsh në Britani të Madhe të hënën mbrëma, tha WikiLeaks në një postim në rrjetin social X.

“Ky është rezultat i një fushate globale që u përfshiu aktivistë për të drejtat e shtypit, ligjvënës dhe liderë nga i gjithë spektri politik e deri të Kombet e Bashkuara”, tha WikiLeaks.

“Julian është i lirë!!!” shkroi gruaja e tij, Stella Assange, në X.

“Fjalët nuk mund ta shprehin mirënjohjen e jashtëzakonshme ndaj juve, po juve, të cilët u mobilizuat për vite e vite, për ta bërë këtë të mundur”, shtoi ajo.

“Kryeministri Albanese ka qenë i qartë: Rasti i Assange është zvarritur tepër gjatë dhe nuk fitohet asgjë duke e mbajtur atë në burg”, tha një zëdhënës i Qeverisë australiane.

Avokati i Assange nuk iu përgjigj kërkesës së Reutersit për koment.

Akuzat historike

Më 2010, WikiLeaks i publikoi qindra mijëra dokumente të klasifikuara të ushtrisë amerikane në lidhje me luftërat e Uashingtonit në Afganistan dhe Irak, si dhe plot kabllograme diplomatike.

Kundër Assange u ngrit aktakuzë gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump për shkak të publikimit masiv të dokumenteve të fshehta amerikane, të cilat u publikuan nga Chelsea Manning, një ish-analistja e inteligjencës së ushtrisë amerikane, e cila u ndjek penalisht gjithashtu për shkeljen e Aktit të Spiunazhit.

Në mesin e më shumë se 700.000 dokumenteve të publikuara ishin edhe kabllograme diplomatike dhe një video e vitit 2007, e cila shfaq një helikopter amerikan duke shtënë mbi kryengritës të dyshuar në Irak, dhe duke vrarë dhjetëra njerëz, përfshirë dy pjesëtarë të stafit të agjencisë së lajmeve, Reuters.

Ajo video u publikua më 2010.

Akuzat kundër Assange nxitën zemërim të madh në mesin e shumë mbështetësve të tij në gjithë botën, të cilët për kohë të gjatë kanë argumentuar se Assange, si publikues i WikiLeaks, nuk duhet të përballet me akuza që përdoren veçanërisht kundër punonjësve qeveritarë të cilët vjedhin apo publikojnë informata.

Shumë avokues të lirisë së shtypit argumentuan se ndjekja penale e Assange përbën kërcënim për lirinë e fjalës.

“Një marrëveshje për pranimin e fajësisë do ta shmangte skenarin më të keq për lirinë e shtypit, por kjo marrëveshje nënkupton se Assange do t’i kishte kryer pesë vjet burgim për veprimtari që gazetarët angazhohen çdo ditë”, tha Jameel Jaffer, drejtor ekzekutiv i organizatës për lirinë e fjalës në Knight First Amendment Institute në Universitetin e Kolumbias.

Saga e gjatë

Assange u arrestua për herë të parë në Britani më 2010, në bazë të një fletarrestimi evropian, pasi autoritetet suedeze thanë se donin ta merrnin në pyetje për akuzat për krim seksual, të cilat më vonë u hodhën poshtë.

Ai iku në Ambasadën e Ekuadorit, ku qëndroi për shtatë vjet, me qëllim për ta shmangur ekstradimin në Suedi.

Ai u nxor nga Ambasada më 2019 dhe u burgos për shkelje të dënimit me kusht. Ai ka qëndruar në burgun e sigurisë së lart Belmarsh në Londër prej atëherë, nga ku e luftoi ekstradimin në Shtetet e Bashkuara për gati pesë vjet.

Ato pesë vjet të kaluara në burg janë të ngjashme me dënimin ndaj Reality Winner, një veterane e forcave ajrore, e cila u dënua me 63 muaj burgim pasi mori dokumente të klasifikuara dhe ia dërgoi me email një mediumi.

Gjatë qëndrimit në burgun Belmarsh, Assange u martua me partneren e vet Stella, me të cilët bëri dy fëmijë gjatë kohës sa u fsheh në Ambasadën ekuadoriane. / Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika