Kabashi: 6 tetori afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, më pas hapet rruga për zgjedhje të reja

Ligjëruesi i së Drejtës Kushtetuese, Ditar Kabashi, ka folur për afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.

Duke folur për situatën pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kabashi ka thënë se për momentin dihen vetëm konkluzionet e vendimit, ndërsa arsyetimi i plotë ende nuk është bërë publik.

“Gjykata Kushtetuese, që e bëri një njoftim rreth aktgjykimit të fundit, të cilin e proklamoi në uebfaqen e saj, konstatoi disa gjëra. Njëra ndër to ishte që Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas afatit. Deri më tani nuk e dimë formën e arsyetimit, por kemi vetëm formën e konkluzionit”, ka deklaruar Kabashi.

Sipas tij, një nga pjesët më të rëndësishme të konkluzionit të Gjykatës Kushtetuese lidhet me afatin për zgjedhjen e presidentit në rast se posti i presidentit mbetet vakant.

“Me interesante se Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, që parashihet në nenin 66, paragrafi 1 i Kushtetutës, ka për pasojë edhe rrjedhjen e afatit për postin e presidentit. Në rastin kur posti i presidentit është vakant”, ka thënë ai.

Kabashi ka vlerësuar se në këtë rast Gjykata Kushtetuese ka bërë një interpretim ndryshe nga ai i dhënë në aktgjykimin e 26 marsit të këtij viti.

“Pika më interesante është se Gjykata Kushtetuese e bën një lloj diskrecioni prej aktgjykimit të datës 26 mars të këtij viti. Në rast se nuk ka Kuvend të konstituohet dhe i mbaron mandati presidentit, duhet me llogarit prej ditës kur fillon të konstituohet Kuvendi. Atëherë data ka qenë 11 shkurt”, ka deklaruar Kabashi.

Ndërkaq, sipas tij, në rastin aktual Gjykata Kushtetuese ka marrë si pikënisje një datë tjetër.

“Ndërkaq, në këtë rast e ka marrë për bazë datën e certifikimit të zgjedhjeve dhe ka thënë kështu: nëse më 8 gusht janë certifikuar zgjedhjet, atëherë sipas Kushtetutës ka pasur afat të konstituohet dhe ai afat duhet të rrjedhë prej asaj dite”, ka shpjeguar ai.

Sipas llogaritjes, 6 tetori paraqet afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit.

“Data 6 tetor është data e fundit për zgjedhjen e presidentit. Pas 6 tetorit llogaritet shkuarja në zgjedhje. E diela e fundit e afatit 45-ditor. Nëse bëhen përgatitjet, mund të organizohen zgjedhjet”, ka thënë Kabashi.

Kabashi, ka folur në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit për rolin dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.

Kabashi ka thënë se nuk do të ishte problem që Gjykata Kushtetuese të sqaronte çështjet që lidhen me zbatimin e Kushtetutës, por, sipas tij, do të ishte e gabuar nëse ajo do të përcaktonte pasoja që nuk janë të parapara në aktin më të lartë juridik të vendit.

“Nuk është gabim, por do të ishte gabim po të përcaktoheshin pasojat nëse Gjykata Kushtetuese do të merrte rolin e shkruesit të Kushtetutës, të legjislatorit. Gjykata Kushtetuese ka për obligim vetëm ta interpretojë Kushtetutën”, ka deklaruar Kabashi.

Sipas tij, interpretimi i dispozitave kushtetuese duhet të bëhet brenda kompetencave që i janë dhënë Gjykatës Kushtetuese, pa kaluar në krijimin e rregullave të reja juridike.

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika