Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në FIVE në RTV Dukagjini ka folur pas dështimit të 43-të me radhë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke ngritur shqetësimin për rrezikimin e funksionimit të disa institucioneve të pavarura.

Kabashi ka bërë të ditur se IKD ka hartuar një listë të institucioneve që po rrezikohen të mbesin pa funksionalitet të mirëfilltë për shkak të zvarritjes në formimin e Kuvendit. Ndër to, ai përmendi Avokatin e Popullit, anëtarët e Agjencisë së Privatizimit dhe 15 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Ai ka theksuar se një nga institucionet më të rëndësishme që është prekur nga kjo situatë është Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht ka kuorum për vendimmarrje, por ka paralajmëruar se rreziku është i madh nëse ndonjë prej anëtarëve përfundon mandatin pa u zëvendësuar.

“Për këtë arsye rrezikojmë të mbesim edhe pa kuorum”, ka thënë Kabashi, duke shtuar se kjo situatë është pasojë e mosefikasitetit të legjislaturës së kaluar.

Sipas tij, legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës ka treguar një neglizhencë të theksuar në përmbushjen e pozitave të lira, duke kontribuar në krizën institucionale që po përjeton vendi.