Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Rama, vlerëson se kryetari i partisë, Bedri Hamza, e ka bërë të qartë se nuk shohin ‘sy më sy’ me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për asgjë se si i shërbehet kombit e institucioneve.
Kabashi-Rama, e ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se mënyra se si ai po vepron po e çon vendin drejt një krize të thellë shtetërore.
“Forma në të cilën zotëri Kurti është duke vepruar po tregon qartë se kemi të drejtë, nuk mundesh me bashkëpunu me një njeri i cili është fatkeqësi me thënë ‘me një shqiptar e kosovar’ të cilit qytetarët ia kanë besu me radhë se 50% e votës e ia kanë thënë mundësinë me udhëheq vendin e drejton buzë greminës edhe në aspektin ekonomik, atë shëndetësorë, në arsim madje edhe në siguri. Zotëri Kurti e ka pru situatën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës me pezullu dialogun strategjik, mjafton me pa se si i ka thënë jo projektit të gazit amerikan. Po na e pamundëson funksionimin e demokracisë që dy vjet po e mban pezull Kosovën duke iua pamundësuar të gjithë deputetëve që na kanë zgjedhur qytetarët që me kry punën tonë me arsyetime banale”, u shpreh Kabashi-Rama.
Sipas deputetes së PDK-së, situata aktuale nuk është më vetëm një përplasje politike, por një krizë shtetërore e shkaktuar nga, siç tha ajo, një sjellje destruktive ndaj shtetit që Kurti e ka shfaqur që nga fillimi i karrierës së tij politike.
“Cka po ndodhë sot është shumë më shumë sesa një përplasje politike është krizë shtetërore, një trajektore e sjelljes destruktive ndaj shtetit nga Kurti prejse ka filluar karrierën politike, si opozitë edhe tash vazhdon mos me respektu shtetin, nuk respekton asnjë datë të rëndësishme të shtetit tonë dhe është një prej njerëzve jo që vetëm ka mbjellë urrejtje e përçarje ndër-shqiptare, por po e shfrytëzon në maksimum në suaza ligjore dhe përtej ligjore duke e shkel edhe Kushtetutën çdo fije besimi që ia kanë dhënë qytetarët për me dëmtu shtetin. Prandaj, PDK-ja nuk mundet me bashkëpunu me një njeri që punon kundër shtetit, kombit e Kushtetutës”, u shpreh ajo.