Analisti politik, Bekim Kabashi, ka vlerësuar se partitë opozitare ndodhen në një pozitë të pafavorshme përballë Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij, e kanë të vështirë të kundërshtojnë politikat sociale dhe subvencionet e qeverisë pa rrezikuar të humbin mbështetjen e një pjese të elektoratit.
Në emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, Kabashi u shpreh se Vetëvendosje ka ndërtuar një strategji të qartë politike përmes mbështetjes financiare të kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, duke synuar zgjerimin e bazës së saj elektorale.
“Hendikepi i partive opozitare është se nuk janë në gjendja të sulmojnë qeverinë pasi ndikojnë direkt tek interesi i elektorati, LVV-ja e ka studiuar mirë këtë pjesën e ndihmën – e kemi parë që kategoria që kontribuon më së shumti në buxhetin e Kosovës ata me pagat mbi 1000 euro ua ka pamundësuar ndihmat dhe e ka bërë me strategji të qartë për të mbështetur kategoritë më të varfra që janë numër më i madh i qytetarëve të Kosovës dhe në raste të caktuar kur një qytetar nuk është i përcaktuar politikisht mund të ndikohet nga kjo ndihmesë e sidomos në kategoritë më të ndejshme si lehonat e njerëzit me më shumë fëmijë dhe që marrin mbështetje financiare mund të orientoj edhe votën e tyre. Në këtë opozita është pa barabartë me Lëvizjen Vetëvendosje – partitë opozitare eklipsohet nga kjo pjesë e debatit dhe nuk vërehen”, ka thënë Kabashi.
Kabashi, mes tjerash, foli edhe për ndikimin e diasporës në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se këtë herë është regjistruar një numër i madh për votim nga jashtë vendit.
Ai vlerësoi se vota e diasporës mund të ketë rol vendimtar në rezultatin zgjedhor.
“Mendoj që VV-ja në pika të caktuar pos që ndikon në elektorat dëshiron edhe të provokojë debat dhe ta fus opozitën në kurth në këtë debat ku e din se mund të humbin – me nxitë debat ku partitë opozitare kundërshtojnë subvencionimin. Në anën tjetër është edhe vota e diasporës ne kemi parë një regjistrim goxha të mëdha kësaj radhe mbase më i madhi ndonjëherë dhe ka një gatishmëri të njerëzve me ardh me ndiku në zgjedhje sidomos elektorati i VV-së e edhe këtu opozita është e pabarabartë. Lëvizja Vetëvendosje me elektoratin në Kosovë mundet me qenë 30-35% por vota e diasporës e bën diferencën dhe e hendikepon opozitën”, u shpreh Kabashi.