Kadetët e Qendrës për Studime Universitare kanë përfunduar me sukses patrullën tradicionale “Triumfi Dardan 2025”, një garë ushtarake që zhvillohet çdo vit në kushte të vështira terreni dhe që synon të testojë aftësitë fizike, mendore dhe taktike të pjesëmarrësve.

Në këtë edicion morën pjesë gjithsej 27 kadetë, të ndarë në tre skuadra, të cilët demonstruan disiplinë, përgatitje dhe profesionalizëm të lartë gjatë gjithë garës.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se ky aktivitet është dëshmi e nivelit të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit të kadetëve kosovarë, si dhe e miqësisë së fortë me Turqinë.

“Kadetët e Qendrës për Studime Universitare përfunduan me sukses patrullën “Triumfi Dardan 2025”, një garë ushtarake që zhvillohet çdo vit në kushte të vështira terreni dhe që teston aftësitë fizike, mendore dhe taktike të pjesëmarrësve.

Në këtë patrullë kanë marrë pjesë gjithsej 27 kadetë të ndarë në tre skuadra ku një vëmendje e veçantë iu kushtua pjesëmarrjes së skuadrës nga Akademia Ushtarake e Turqisë. Pjesëmarrja e tyre përbën një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe Turqisë, duke forcuar miqësinë dhe shkëmbimin e përvojave profesionale ndërmjet dy ushtrive mike.
Ky aktivitet jo vetëm që forcoi lidhjet ushtarake ndërmjet institucioneve arsimore të dy vendeve, por gjithashtu dëshmoi se sfidat e përbashkëta ndërtojnë miqësi të qëndrueshme dhe profesionalizëm të përbashkët”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.