Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij, duke theksuar se ata kanë shkelur Kushtetutën.

Ajo ka deklaruar se qëndrimi i AAK-së është shumë i qartë dhe se nuk ka pasur asnjë takim me Vetëvendosjen, për shkak të “vijave të kuqe” që kanë me këtë parti.

Kadriaj ka theksuar se dorëheqja e Kurtit nuk ka qenë një dorëheqje e vërtetë, por një thjesht një lajmërim dhe se veprimet e Kryeministrit dhe kabinetit të tij janë një shkelje e qëllimshme e Kushtetutës.

“Do të diskutojmë bashkë me deputetët. Ajo nuk ka qenë një dorëheqje, por vetëm një lajmërim. As Kryeministri, as kabineti i tij nuk kanë vepruar si duhet – ai ka bërë një shkelje kushtetuese dhe e keni parë qëllimisht si po shkelët. Nuk kemi pasur takim dhe as nuk do të kemi, sepse kemi deklaruar qartë se kemi vija të kuqe me Vetëvendosjen. Nuk mund të votoj një kandidat që nuk i plotëson kriteret për të marrë votën time. Ato kritere janë njerëzore dhe kombëtare”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka shtuar se nuk mund të votojë një kandidat që nuk plotëson kriteret që ajo ka për votën e saj, duke përmendur rastin e Mimoza Kusarit, për të cilën tha se ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Radoiçiqin, dhe kjo është e papranueshme për të.