Kadrijaj: Kurti përdor taktika për t’i bindur militantët se nuk e ka pranuar Asociacionin
Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ta dërgojë draftin e Asociacionit në Komisionin e Venecias, po konsiderohet ekzibicion, nga deputetët e partive opozitare. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka cilësuar veprimin e Kurtit si një përpjekje për të larguar vëmendjen e votuesve të tij […]
Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ta dërgojë draftin e Asociacionit në Komisionin e Venecias, po konsiderohet ekzibicion, nga deputetët e partive opozitare.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka cilësuar veprimin e Kurtit si një përpjekje për të larguar vëmendjen e votuesve të tij nga fakti se ai “ka pranuar në të vërtetë Asociacionin”.
Ajo ka theksuar se edhe pse Kurti thotë që nuk ka pranuar Asociacionin, veprimet e tij tregojnë të kundërtën.
Sipas saj, duke iu referuar dhurimit të tokave të manastirit të Deçanit për Këshillin e Evropës, Kurti ka treguar se është i prirur të pranojë kushte të ngjashme.
“Kurti po mundohet në bazë të këtyre ekzibicioneve ta largojë vëmendjen dhe t’i bindë militantët e tij se nuk e ka pranuar Asociacionin. Por, në fakt, e ka pranuar, njëjtë sikurse i dhurojë tokat e manastirit të Deçanit për Këshillin e Evropës, njëjtë tash për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zoti Kurti e kish ditë që është kusht edhe dërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese dhe si ka pranuar, tash duke dashur të blejë kohë dhe t’i ikë përgjegjësisë dhe vendimmarrjes, tash po kërkon që Lajçak ta dërgojë për interpretim në Gjykatën e Venecias, gjë që s’po kom koment”, ka thënë Kadrijaj.
Kadrijaj gjithashtu ka kritikuar idenë për dërgimin e draftit të Asociacionit në Komisionin e Venecias, duke e quajtur atë si një mënyrë e keqe për zgjidhje.
Ajo ka potencuar se ky veprim është jashtë kompetencave të Qeverisë dhe se përdorimi i ekzibicioneve nga Kurti po përkeqëson situatën në Kosovë.
“Kjo forma që e ka pranuar zoti Kurti dhe kjo qeveri është më e keqja e mundshme, sepse mendoj se ka edhe kompetenca ekzekutive, ka pushtet të tretë, ndërsa zoti Kurti edhe atëherë kur nuk kishte Asociacioni kompetenca ekzekutive, e ka kundërshtuar, ndërsa sa herë po bën ekzibicione, sa herë që po punon dhe po vepron pa dakordim me aleatët tanë, neve po na rëndohet situata dhe çdoherë, sa më shumë që i shtyjmë këto vendime, për Kosovën do të jetë edhe më keq”, ka deklaruar deputetja e AAK-së për EO.
“S’ka logjikë propozimi i Kurtit që Asociacioni të dërgohet në Komisionin e Venecias”















