Kadrijaj për shtyrjen e seancës konstituive me kërkesë të Kurtit: Ka qenë e pakuptueshme

Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Time Kadrijaj, e ka cilësuar si të pakuptueshme mënyrën se si është menaxhuar procesi i konstituimit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në Five në TV Dukagjini, Kadrijaj tha se shtyrja e konstituimit të Kuvendit deri në ditën e fundit nuk ka ndodhur në asnjë legjislaturë të mëparshme.

Sipas Kadrijajt, Kurti nuk i kishte nisur me kohë bisedimet me partitë parlamentare për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht se, sipas saj, rezultatet e zgjedhjeve dhe ndarja e ulëseve ishin tashmë të qarta.

“Ka qenë e pakuptueshme. Vetë fakti që pas certifikimit të zgjedhjeve është shtyrë afati i konstituimit të Kuvendit për në ditën e fundit ka qenë tepër e pakuptimit. Sepse asnjëherë nuk ka ndodhur në asnjë qeveri paraprake që të shtyhet konstituimi i Kuvendit deri në ditën e fundit. Ndërsa zoti Kurti as në atë kohë nuk i pat filluar bisedimet me partitë politike për gjetjen e një e një zgjidhje, thoshte po pres certifikimin e zgjedhjeve, a në fakt vendet dhe ulëset kanë qenë të garantuara…

Edhe kur filloi diskutimet, po ashtu filloi ditën e fundit, u shty konstituimi i seancës në ditën e fundit dhe u takua me paritë, kishte ftesë për takime. Ndërsa e dini që Aleanca shumë herët, duke dashur t’i kontribuojë situatës ka parashtruar 6 kërkesa. Dhe kërkesat kanë qene publike. Nuk janë kërkesa për Aleancës, janë për shtetin, për qytetarët, janë kërkesa që e forcojnë partneritetin me aleatët”, u shpreh Kadrijaj.

Deklaratat e saj vijnë pasi seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve me partitë parlamentare lidhur me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Të fundit nga rubrika