Kadrijaj: VV-së i pëlqen bllokada, po dëmtohet imazhi i Kosovës
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se nuk po sheh përpjekje reale për zgjidhje nga kjo parti. Ajo shtoi se çdo parti tjetër që do ta synonte postin e kryetarit do të ishte angazhuar më shumë. “As mend nuk e kemi bërë secila parti […]
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, duke thënë se nuk po sheh përpjekje reale për zgjidhje nga kjo parti.
Ajo shtoi se çdo parti tjetër që do ta synonte postin e kryetarit do të ishte angazhuar më shumë.
“As mend nuk e kemi bërë secila parti që ka synuar ta ketë partitë është angazhuar maksimalisht. Ne nuk po shohim ndonjë angazhim vetëm po shohim që po i pëlqen kjo bllokadë. Shkelin ligje kushtetuese, ende jemi në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, vërtetë nuk ka kuptim në këtë formë po humbet imazhi i Kosovës, nuk ka interes as nga partnerët tanë. Të presim vendimin e gjykatës dhe një reflektim të kësaj partie” u shpreh Kadrijaj para seancës së 32-të.
Ajo bëri thirrje për reflektim dhe respektim të Kushtetutës.
Ndryshe, Deputetët e zgjedhur do t’iu drejtohen sot ulëseve të Kuvendit, në përpjekjen e tyre të tridhjetë e dytë për konstituimin e legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit.
Vazhdimi i radhës i seancës konstitutive do të fillojë nga ora 11.
Kuvendi i ri i Kosovës nuk është konstituuar ende që nga 15 prilli pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të legjislativit.
Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive përkon me shtatëmbëdhjetë vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.
Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit që po e kërkojnë Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Formimi i komisionit mbikëqyrës për votimin e fshehtë po kundërshtohet nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.















