Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se tensionet në rajon kërkojnë një reagim të menjëhershëm nga BE-ja për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.

“Jemi dëshmitarë të tensioneve në rajon dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit”, ka theksuar Kallas në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së që po mbahet sot në Luksemburg.

Takimi ka nisur në orën 08:00 dhe drejtohet nga vetë Kallas.

Në këtë takim, mes tjerash ajo do të informojë ministrat për zhvillimet në dialogun Kosovë–Serbi, si dhe për vizitën që ka realizuar kohët e fundit në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Një tjetër temë kryesore në agjendë është agresioni rus ndaj Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sybiha, do t’u drejtohet ministrave përmes një videokonference.

Gjithashtu, në takim do të diskutohet edhe për raportet e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përparimin e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Sipas Këshillit Evropian, vendet partnere nga Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – kanë mbështetjen e BE-së në rrugën e tyre drejt anëtarësimit.