Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka njoftuar planet për të organizuar një takim mes përfaqësuesve nga Prishtina dhe Beogradi për dialogun Kosovë – Serbi.

Ajo ka theksuar se synon të ftojë të dy palët sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim diskutimin e hapave konkretë përpara në procesin e dialogut.

“Folëm për marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk është vetëm për përmirësimin e raporteve, por thelbësor për të ardhmen evropiane të Serbisë. Është koha për t’a tejkaluar të kaluarën dhe përqendrohemi në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj t’i ftoj përfaqësuesit nga Prishtina dhe Beogradi, sa më shpejt që të jetë e mundur – për të diskutuar hapat konkret përpara”, ka deklaruar Kallas në konferencën për shtyp në Beograd.

“Anëtarësimi në BE kërkon reforma të vërteta, jo vetëm letra”

Kallas ka theksuar se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian mbetet qëllim strategjik, por përparimi kërkon veprime konkrete.

“Anëtarësimi në BE mbetet ( për Serbinë) qëllim strategjik. Megjithatë dua të theksoj se ne duam të shohim veprime që mbështesin këto veprime. Reformat janë mënyra se si Serbia do të përparojë në rrugën drejt BE-së. Nuk ka rrugë të shkurta për anëtarësim. Progres i njëmendtë duhet të ndodhë këtu në Beograd. Hapat e ardhshëm janë të qartë dhe përfshijnë: Lirinë e Medias, Luftimin e korrupsionit, reformën zgjedhore. Duhet të jenë reforma të vërteta e jo vetëm të vendoset një shenjë në letër”, ka deklaruar mes tjerash ajo.