Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se sot është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilët ka diskutuar për avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kallas vlerëson se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian duhet të ecin paralelisht, njofton Dukagjini.
Ajo theksoi se marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë obliguese për palët.
Shefja e diplomacisë së BE-së deklaroi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë ndërmjetësues i paanshëm në proces, por theksoi se ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.
“Sot u takova me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti dhe ngrita nevojën për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin paralelisht. Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë obliguese. Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale. BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetësues i paanshëm. Por lehtësimi i dialogut nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha të ecim përpara”, ka shkruar Kallas në X.
