Kallas përsërit mesazhin: Qeveria të formohet sa më shpejt
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka përcjellë mesazhe të qarta gjatë vizitës së saj në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, duke theksuar nevojën për stabilitet politik dhe përparim drejt integrimit evropian. Në një përmbledhje pas vizitës, në rrjetin social Instagram, Kallas nënvizoi nevojën urgjente për […]
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka përcjellë mesazhe të qarta gjatë vizitës së saj në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, duke theksuar nevojën për stabilitet politik dhe përparim drejt integrimit evropian.
Në një përmbledhje pas vizitës, në rrjetin social Instagram, Kallas nënvizoi nevojën urgjente për formimin e një qeverie funksionale në Kosovë, duke theksuar se ngërçi politik duhet të tejkalohet.
“Liderët duhet të lënë ndarjet anash dhe të vendosin në plan të parë të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Në Serbi, Kallas u bëri thirrje autoriteteve që të përshpejtojnë reformat dhe të përcaktojnë qartë drejtimin strategjik të vendit drejt BE-së. Ajo u takua edhe me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke vlerësuar energjinë dhe kërkesën e tyre për drejtësi si faktorë kyç për të ardhmen e vendit.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, zyrtarja e lartë evropiane vlerësoi angazhimin e këtij vendi në procesin e integrimit evropian, duke kujtuar se ishte i pari në rajon që nënshkroi një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në.
“Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane dhe tani është thelbësore të vazhdohet në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar ajo.
Vizita e Kallas vjen në një kohë kyçe për rajonin, mes sfidave të brendshme politike dhe përpjekjeve për përparim në procesin e integrimit evropian.















