Kallas sot në Prishtinë – takohet me përfaqësues të partive politike
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të mbërrijë sot në Prishtinë, në kuadër të një vizite në rajon. Sipas agjendës së publikuar nga Brukseli, Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë. Kallas do të mbajë një […]
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të mbërrijë sot në Prishtinë, në kuadër të një vizite në rajon.
Sipas agjendës së publikuar nga Brukseli, Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.
Kallas do të mbajë një konferencë për media në Prishtinë, në orën 15:45.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ajo do të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si dhe do të zhvillojë një takim me komandantin e KFOR-it, Enriko Barduani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur javën e kaluar se nuk do të takohet me Kallasin gjatë kësaj vizite, për shkak se do të jetë për vizitë zyrtare në Zvicër.
Të dyja ishin takuar në Tiranë në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Vizita e kryediplomates evropiane në Kosovë po ndodh në një kohë kur autoritetet kosovare po kërkojnë heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja, duke theksuar se kjo duhet të ndodhë para rifillimit të dialogut me Serbinë.
Ndërkohë, vizita e saj vjen edhe në kohën e një krize politike në Kosovë, ku për herë të 19-të të mërkurën dështoi konstituimi i Kuvendit.
Për dallim nga Presidenti Këshillit të BE-së, i cili e takoi lryeministrin në detyrë, Albin Kurti në zyrën e tij, në njoftimin e BE-së nuk përmendet ndonjë takim i veçantë i Kallas me Kurtin.















