Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ai dhe partnerët e tij politikë kanë vendosur të tërhiqen nga punimet parlamentare, duke e cilësuar situatën aktuale në Serbi si një krizë të thellë politike që ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe shqiptarët.

Në një intervistë në FIVE të TV Dukagjinit, Kamberi ka thënë se pavarësisht përpjekjeve të tij si deputet përmes iniciativave, propozimeve, marrëveshjeve dhe angazhimit të vazhdueshëm me autoritetet qendrore në Beograd, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret për përmirësimin e pozitës së pakicës shqiptare.

“Një krizë e thellë politike, e cila tash është evidente në mbarë Serbinë, por që fillimisht ka qenë reflektuar mbi pozitën e shqiptarëve. Dhe përkundër angazhimit sa jam deputet, iniciativë të ndryshme, propozimeve, fjalimeve, marrëveshje që kemi me nivelin qendror në Beograd…,  këto nuk po japin rezultatet. Rrethanat të tilla, kur pushteti aktual ka humbur legjitimitetin, filluar me përdorimin e forcës, nuk tregon aspak interesimin për të drejtat e pakicave, atëherë bashkë me partnerët e SDA-së së Sanxhakut kemi vendosur që të marrim një qëndrim që tash e tutje të mos marrim pjesë në punimet e Kuvendit.

Do t’i vlerësojmë situatën në çdo moment, bashkërisht do të veprojmë me një parti që kemi bashkëvepruar në Parlamentin e Serbisë. Për momentin ky është vendimi që mos të marrim pjesë në rrethanat e tilla, ku gjithçka ka humbur kuptimin”, ka thënë Kamberi në FIVE.