Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se dyshohet se ndaj tre policëve të Kosovës të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe, është ushtruar dhunë ndërsa Serbia po kërkon kohë derisa policët të rikuperohen.

“Ndaj tre policëve dyshohet se është ushtruar dhunë, pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë. Kjo nga përvoja që kam me forcat speciale serbe në Preshevë kur arrestonin të rinjtë”, ka thënë Kamberi.

Kamberi ka treguar se çka i forcon dyshimin se ka pasur dhunë ndaj policëve, sipas tij është refuzimi i kërkesës së shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, për t’i vizituar policët e kidnapuar.

“Çështja tjetër që bëhet për të dyshuar se ka pasur dhunë ndaj tyre është kur shefi i zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka kërkuar t’i shohë policët, t’i takojë ata, nuk i është dhënë vendqëndrimi dhe vendndodhja e tyre. Jashari ka kërkuar zyrtarisht t’i takojë, por nuk i është dhënë e drejta dhe nuk është njoftuar se ku janë policët e rrëmbyer”, ka deklaruar Kamberi për EuronewsAlbania, përcjell Dukagjini.com.