Kamberi në takim me Vuçiqin: Qasja e Serbisë ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është pritur në një takim konsultativ për kandidatin për kryeministër, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kamberi ka bërë të ditur se presidentit Vuçiq i kanë prezantuar kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7-pikësh. “Ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të […]
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është pritur në një takim konsultativ për kandidatin për kryeministër, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kamberi ka bërë të ditur se presidentit Vuçiq i kanë prezantuar kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7-pikësh.
“Ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qëndror por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Po ashtu, ai ka theksuar se qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë.
Ai ka njoftuar se në këtë takim e ka përmendur edhe nevojën për ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
“Rasti i mjekëve të diskriminuar të Preshevës kërkon zgjidhje urgjente, njëjtë sikur integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në polici. Me presidentin Vuçiq diskutuam edhe për nevojën e privatizimit të Banjës së Bujanocit, rritjes së investimeve në nivel lokal dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë. Diplomat kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga to varet edhe avancimi i pozitës së shqiptarëve të Luginës dhe sigurimi i një perspektive më të mirë për të gjithë”, ka shkruar tutje ai.
Delegacioni shqiptar ka bërë të ditur se ata nuk janë të interesuar për pozita në nivel qendror, por theksojnë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve duhet të fillojë nga institucionet lokale dhe rajonale.
Kërkesat e tyre përfshijnë zgjidhjen urgjente të çështjeve të diskriminimit të mjekëve në Preshevë, integrimin e shqiptarëve të kualifikuar në polici, privatizimin e Banjës së Bujanocit, rritjen e investimeve në nivel lokal, dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.















