Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres për Pushtetin Lokal, Snezhana Paunoviq, e cila gjatë një interviste tha se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Kamberi ka bërë të ditur se, në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Serbisë, do të iniciojë procedurën për shkarkimin e ministres.
Ai njoftoi gjithashtu se u ka dërguar një shkresë zyrtare ambasadave relevante ndërkombëtare në Beograd, duke kërkuar reagimin e tyre ndaj deklaratës së Paunoviqit.
Sipas Kamberit, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë.