“Kampe parmilitare ruse për moldavët të fshehur në pyjet e Serbisë dhe Bosnjës”
Një hetim i ri i BIRN-it dhe medias moldave CU SENS zbulon se kush i trajnoi pjesëmarrësit moldavë në kampet parmilitare të vendosura në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, si janë rekrutuar dhe paguar ata përpara zgjedhjeve presidenciale në Moldavi. “A nuk dëshiron të shkosh? Të mësosh si të mbrohesh?” Ky ishte pyetja që e çoi Maksim […]
Një hetim i ri i BIRN-it dhe medias moldave CU SENS zbulon se kush i trajnoi pjesëmarrësit moldavë në kampet parmilitare të vendosura në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, si janë rekrutuar dhe paguar ata përpara zgjedhjeve presidenciale në Moldavi.
“A nuk dëshiron të shkosh? Të mësosh si të mbrohesh?”
Ky ishte pyetja që e çoi Maksim Roskën, 41 vjeç nga Moldavia, në Ballkan, ku instruktorë rusë e trajnuan atë në kampe parmilitare të fshehura në pyjet e Serbisë dhe Bosnjës.
Roska u arrestua në tetor 2024, së bashku me një grup personash që, sipas prokurorisë moldave, po përgatiteshin të shkaktonin trazira masive para, gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale, ku presidentja pro-evropiane Maja Sandu fitoi një mandat të ri ndaj kandidatit pro-rus Aleksandër Stojanoglo.
Pas zgjedhjeve, Komisioni Evropian deklaroi se “ndërhyrja e Rusisë në procesin zgjedhor” kishte qenë “e pashembullt”.
Roska tani është dëshmitar në procesin penal që zhvillohet në Moldavi kundër disa pjesëmarrësve dhe organizatorëve të kampeve stërvitore që u mbajtën në Ballkan. Sipas BIRN, një çështje penale për këtë është hapur edhe nga Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës.
Sipas prokurorisë moldave, trajnimet u zhvilluan në Serbi dhe Bosnje nga gushti deri në tetor 2024, dhe instruktorët ishin persona të lidhur me grupin famëkeq rus Wagner dhe disa individë nën sanksione të BE-së.
Moldavia nisi hetimet në shtator 2024, pasi shërbimi i saj i sigurisë (SIS) mori një sinjalizim. Roska u arrestua më 11 tetor, ndërsa gjashtë ditë më vonë, media në Serbi raportoi se BIA, në bashkëpunim me policinë, kishte “shkatërruar aktivitete të paligjshme në një pronë rurale afër Kuçevës”.
Mediat proqeveritare serbe raportuan se gjatë bastisjes u gjetën: katër dronë me pajisje përcjellëse, syze virtuale, pajisje për kapjen e dronëve, pajisje Starlink për komunikim satelitor, radio, bateri të improvizuara, fosfor dhe lëngje djegëse, si dhe orë që mund të përdoreshin për aktivizim zjarri.
Rekrutimi dhe trajnimi në kampet e Serbisë dhe Bosnjës
Roska tregoi për CU SENS në dy intervista sesi u rekrutua, sa u paguan pjesëmarrësit dhe çfarë mësuan.
Ftesën për të shkuar në kamp e mori nga një bashkëpunëtor i gruas së tij – Anatoli Prizenko.
Prizenko, tashmë i arrestuar, sipas prokurorit moldav Vitalie Kiska, kishte rol kyç në organizimin e trajnimeve dhe rekrutimin e pjesëtarëve të rinj që dërgoheshin jashtë vendit.
Kush i sillte ushqimin?
Roska identifikoi bullgarin Mirço Angelov si personin që u sillte ushqim pjesëmarrësve në kamp. Angelov është përmendur edhe më parë si pjesëmarrës në një aksion në Paris. Ai ka qenë lider i një grupi neonazist tifozësh në Bullgari dhe mban tatuazhe neonaziste. BIRN nuk arriti të kontaktojë me të.
Sipas policisë, Prizenko kishte organizuar turne paintball-i për të identifikuar personat që më pas dërgoheshin në trajnim.
Prizenko është nën sanksione të BE-së që nga dhjetori 2023 për përfshirje në ngjarjen e vizatimit të yllit të Davidit në Paris – aksion që besohet të jetë kryer për llogari të GRU-së ruse për të ndezur tensione në Francë. Ai e ka pranuar publikisht se i ka paguar shtetas moldavë për të realizuar atë akt.
Udhëtimet dhe përvojat në kampe
Pas ftesës së Prizenkos, Roska udhëtoi përmes Turqisë në Banjallukë. Pas mbërritjes, një grup prej nëntë moldavësh dhe tre rusësh u nis drejt kampit në pyll.
Sipas prokurorisë moldave, moldavët udhëtuan drejt Ballkanit dy herë: nga 1 deri më 16 gusht dhe nga 22 gusht deri më 11 tetor 2024. Roska ishte pjesë e të dyja tureve.
Pjesëmarrësve u mblidheshin telefonat dhe pasaportat, të cilat u ktheheshin vetëm në raste të rralla kur lejoheshin të shkonin në qytet.
Në kampe mësonin përdorimin e dronëve, teknika luftarake, por edhe “psikologji dhe sport”. Instruktorët nuk jepnin shumë shpjegime në fillim, por më vonë thoshin: “Po ju trajnojmë që të mos keni luftë, por për këtë duhet të kryeni disa detyra”.
Sipas Roskës, për 10 ditë qëndrimi në kamp, pjesëmarrësve u premtuan 300–500 dollarë. Ai u pagua në kriptovalutë.
Vendndodhja e kampeve
Herën e parë, Roska udhëtoi përmes Turqisë në Banjallukë. Kampi ishte në pyll afër ish-aerodromit ushtarak të Zalužanit, pranë fshatit Glamoçani, në veri të Banjallukës.
Herën e dytë, Roska shkoi nga Moldavia me makinë në Serbi, pastaj me autobus në Bosnje, në të njëjtin kamp. Ai u kthye pas një jave për të marrë pjesëmarrësit e tjerë dhe pajisjet për t’i zhvendosur në një kamp tjetër në fshatin Radenka, Serbi, pranë kufirit me Rumaninë.
Në tetor, kampi në Radenka u braktis – temperaturat ishin të ulëta dhe një mesazh në Telegram paralajmëroi për rrezik arrestimi.
Në shkurt 2025, gazetarët e BIRN-it gjetën në Radenka mbetje të djegura letrash, copa plastike dhe shenja gare në tokë në vendin ku më parë ishin ngritur çadrat – siç shihet në video nga policia moldave dhe në foto të BIA-s nga tetori 2024.
Analiza e fotove dhe videove konfirmoi se vendndodhja ishte një livadh rreth 10 minuta nga qendra e fshatit Radenka.















