Kancelari Merz paralajmëron zhvendosje tektonike të pushtetit global dhe kërkon forcimin e Evropës
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Evropa po jeton në një gjendje të ndërmjetme, “as në luftë, as në paqe”, duke paralajmëruar se bota po përjeton një zhvendosje të thellë tektonike të pushtetit politik dhe ekonomik. Duke folur në kongresin e Unionit Kristian-Social (CSU) në Mynih, ai tha se kjo periudhë nuk përfaqëson thjesht luhatje […]
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Evropa po jeton në një gjendje të ndërmjetme, “as në luftë, as në paqe”, duke paralajmëruar se bota po përjeton një zhvendosje të thellë tektonike të pushtetit politik dhe ekonomik.
Duke folur në kongresin e Unionit Kristian-Social (CSU) në Mynih, ai tha se kjo periudhë nuk përfaqëson thjesht luhatje të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, por një transformim historik.
Merz e përshkroi Gjermaninë si një vend që ka nevojë për rinovim të thellë, teksa theksoi se ndryshimet globale ndoshta do të kuptohen plotësisht vetëm pas shumë vitesh.
“Epoka e ‘Pax Americana’ ka marrë fund”, nënvizoi ai, duke theksuar se SHBA-të po i ndjekin interesat e tyre me forcë të madhe dhe se edhe Evropa duhet të veprojë po aq vendosmërisht për të mbrojtur interesat e veta.
Duke folur për Ukrainën, Merz përsëriti rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të saj. Ai paralajmëroi se një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia nuk do ta ndalte ambicien e Vladimir Putinit.
“Pastaj në shënjestër do të ishte Bashkimi Evropian”, tha ai, duke shtuar se nuk është i gatshëm të rrezikojë periudhën më të gjatë të paqes në kontinentin evropian.
Kancelari përmendi katër prioritete kyçe: mbështetjen afatgjatë për Ukrainën, ruajtjen e kohezionit brenda BE-së dhe NATO-s, si dhe investime të mëdha në kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë dhe Evropës.















