Kandidatët republikanë për president mblidhen në Ajova, mungon ish-Presidenti Trump

Kandidatët republikanë synojnë të zgjerojnë bazën e mbështetësve të tyre duke fituar votat e banorëve në këtë shtet, ku zakonisht zhvillohen beteja të forta elektorale

Qindra njerëz u mblodhën në Ajova për të dëgjuar kandidatët kryesorë që synojnë të fitojnë garën brenda partisë Republikane për të qenë kandidatura zyrtare për president. Kandidatët republikanë synojnë të zgjerojnë bazën e mbështetësve të tyre duke fituar votat e banorëve në këtë shtet, ku zakonisht zhvillohen beteja të forta elektorale.

Sidoqoftë, në këtë aktivitet u ndje mungesa e kandidatit kryesor republikan, ish-Presidentit Donald Trump.

Pothuajse të gjithë kandidatët republikanë që shpresojnë të kandidojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 u gjendën të shtunën në Ajova për të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Senatorja Joni Ernst.

“Rruga drejt zgjedhjeve të vitit 2024 kalon nëpërmjet Ajovas”, tha senatorja republikane.

I pari nga kandidatët foli kolegu senator nga Karolina e Jugut, Tim, Scott, shkruan VOA.

“Ka ardhur koha që të kemi një president që jo vetëm beson tek Amerika, por që edhe ka përjetuar ëndrrën amerikane”, tha Senatori Scott.

Presidentin Biden e kritikoi edhe ish-Guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson.

“Po kandidoj për president për shkak se politikat e Joe Biden-it janë drejtimi i gabuar për Amerikën”, tha Hutchinson.

Guvernatori, Ron DeSantis, vuri në dukje arritjet e tij në Florida.

“Në Florida ne zgjodhëm faktet mbi frikën, zgjodhëm arsimin mbi indoktrinimin, zgjodhëm ligjin dhe rendin mbi trazirat”, tha ai.

Edhe ish-Guvernatorja Nikki Haley gjithashtu ngriti çështjet sociale gjatë fjalimit të saj.

“Ideja se kemi djem që luajnë në ekipet sportive të vajzave është problemi më i madh për të drejtat e grave në kohërat tona”, tha Haley.

Ish-Presidenti Trump, i cili vazhdon të kryesojë në anketime, mungoi dukshëm në këtë aktivitet.

Megjithatë, aty ishte i pranishëm ish-Nënpresidenti Mike Pence, i cili pritet të njoftojë kandidimin javën e ardhshme, ndërsa mundohet të distancohet nga ish-eprori i tij.

“Duhet t’u rezistojmë politikave të personalitetit dhe joshjes nga populizmi, për të mbajtur më shumë parimet konservatore që u qëndrojnë kohërave”, tha Pence.

Raundi i parë i votimeve paraprake të Partisë Republikane do të mbahet pikërisht në Ajova, në fillimet e vitit 2024.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika