Klimë e frikësimit të qytetarëve.

Këtë përshkrim ia kanë bërë situatës në veri të Kosovës, katër ditë para se të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, dy kandidatët serbë për kryetar të Zveçanit dhe Leposaviqit.

“Qytetarët janë të frikësuar, mirëpo ata gjithashtu tashmë e kanë parë që nuk ka asgjë nga Lista Serbe, ata janë dobësuar. Zveçani ka qenë një nga qytezat më të bukura në Kosovë dhe tani është shkatërruar. Lista Serbe ka qenë një parti profitabile, që shikonte vetëm interesat e veta. Gjysma e qytetarëve jetojnë në skaj të rezistencës”.

Sladjana Pantoviq, që si e pavarur synon të marrë udhëheqjen e Zveçanit, thotë se ka një respekt të veçantë për kryeministrin Albin Kurti.

“Kurti me të vërtetë së pari është njeri, dhe më pas një politikan, pavarësisht se si e paraqesin njerëzit. Lista Serbe i detyron ata që punojnë në institucione që të përfshihen në politikë. Erdhi Kurti dhe ua shkurtoj të gjitha këto dhe tani kjo nuk po u konvenon atyre. Tani, më shumë i besoj atij se çdo politikani tjetër”, thotë Pantoviq.

Në këtë tryezë të organizuar në qendrën mediale në Çagllavicë, mungoi për arsye familjare, Aleksandar Jabllanoviq, kandidat për kryetar të Leposaviqit.

Mirëpo, Partinë e Serbëve të Kosovës, e përfaqësoi Andrija Ignjatoviq, i cili shfaqi disa dyshime për atë që mund të ndodhë të dielën.

“Sa i përket daljes së qytetarëve, ne jetojmë në një mjedis ku thjeshtë brenda natës situata edhe mund të ndryshoj. Këto tri, katër ditë, mund të ndodhin disa reagime, të cilat mund të ndikojnë në daljen e votuesve. Megjithatë, më duhet ta falënderoj publikisht Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq, që për herë të parë që nga viti 2015, nuk jemi targetuar”, ka thënë Ignjatoviq.

Zgjedhjeve të së dielës, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, vlerëson se nuk do t’u mungojë legjitimiteti.

“Një votë e lirë e ka vlerën më të madhe se ato 11 mijë vota legjitime që janë, sepse janë të detyrueshme… Pikëpyetja shtrohet 11 mijë të komunitetit serb janë të detyruar me u mbledhë në një vend dhe pastaj me dal me votu sipas mendimit të një njeriu ose një opsioni politik”, ka thënë Ugljanin.

Megjithatë, Belgzim Kamberi nga Instituti Musine Kokalari thekson se zgjedhjet e së dielës mund të sjellin legjitimitet të kufizuar.

Ato, sipas tij do ta thellojnë ndasinë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo së paku ia vë një hije të zezë vet marrëveshjes së Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve dhe faktikisht nëse zgjedhjet mbahen ashtu në ndjenjën aktuale që jemi, atëherë kemi më shumë të bëjmë me denormalizim të raporteve dhe shtyerje së stërkeqjes së raporteve midis Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Kamberi.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës kanë folur edhe për parregullsia të tjera, të cilat thanë se po i shkakton Lista Serbe.