Në çdo pjesë të kryeqytetit, kundërmimi është po i njëjti.

Tek rruga “UÇK”, kontejnerët janë rikthyer në një lloj deponie pasi që në kohën kur ndërmarrja “Pastrimi” parashihet t’i pastrojë, nuk e ka bërë.

E tërë ndërmarrja ka pushuar së punuari e kjo si rrjedhojë e një krize financiare.

“Pastrimi” fajin ia lë komunës së Prishtinës e cila sipas saj, nuk ia kreu detyrimet për pesë muaj duke arritur borxhin prej 2.6 milionë euro.

“Komuna njëanshëm dhe jashtëligjshëm ka bërë thirrje që shërbimet për pastrim t’i paguajnë në komunë sepse komuna do t’ia paguaj pastrimit. Po për 5 muaj, asnjë cent ka bërë pagesë ndaj nesh. Është e pamundur të ofrojmë shërbim, janë kosto të pesë muajve. E di që komuna ka pasur shpresë te operatorët privat dhe dëshirë mund ta kenë hapjen e mundësive për tenderë të vet por një gjë të tillë, s’do ta lejojmë. Është ndërmarrje publike dhe komuna e ka themelu”, ka deklaruar Petrit Reçica, kryeshef i “Pastrimit”.

Gjendja është e njëjtë edhe përballë Komunës së Prishtinës, tek rruga “Agim Ramadani” e madje tek edhe tek kampusi i Universitetit publik.

E për këtë, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike thonë se veprimet ndaj “Pastrimit” do merren që nga nesër.

“Nuk jemi në dijeni nëse këto telashet me derivate janë një javore, dy javore apo si e ka mendu kryeshefi. Ne si DSHP jemi në përpilim të një kërkese drejtuar Pastrimit për të ofruar shërbimin ndaj kryeqytetit. Po presim qartësim se për çfarë periudhe kohore është në pamundësi ta ofrojë shërbimin. Sot i kam lutur inspektorët e rendit komunal që nesër ta bëjnë një konstatim të gjendjes në kryeqytet dhe më pas inspekcioni të marrë veprimet e duhura ndaj “Pastrimit”. Nëse shterrren mundësitë dhe shohim se “Pastrimi” s’ka mundësi ta rikthejë shërbimin, DSHP do shohë mundësitë alternative”, ka theksuar Bekim Brestovci, Drejtor i Shërbimeve Publike.

Me “mundësitë alternative”, Brestovci nënkupton angazhimin e operatorëve privatë, ide të cilën e ka përmendur vazhdimisht qëkur ka pranuar detyrën.

Kujtojmë se komuna disa herë ka shpallur gjendje emergjente me mbeturinat në kryeqytet si pasojë e situatave të ngjashme kur mbeturinat kishin mbuluar pjesë kryesore të qytetit e lagje të Prishtinës.