“Karrigia e kryetarit mbetet bosh – Kuvendi dështon për të 46-tën herë”
Për të 46-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, pasi deputetët nuk arritën të bien dakord për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Seanca e sotme, e cila filloi në orën 11:00, përfundoi pa rezultat konkret, duke vazhduar bllokadën institucionale që ka zgjatur tashmë me javë të tëra. Procesi i konstituimit ka […]
Për të 46-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, pasi deputetët nuk arritën të bien dakord për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Seanca e sotme, e cila filloi në orën 11:00, përfundoi pa rezultat konkret, duke vazhduar bllokadën institucionale që ka zgjatur tashmë me javë të tëra.
Procesi i konstituimit ka stagnuar tek zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post. Mirëpo, kandidatura e saj nuk është pranuar nga opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, të cilat kanë refuzuar ta mbështesin dhe kanë kërkuar që të propozohet një emër tjetër.
Në mungesë të numrave për ta zgjedhur Haxhiun përmes votimit të hapur, LVV ka kërkuar që votimi të bëhet i fshehtë. Por komisioni që do të mundësonte një proces të tillë nuk ka marrë mbështetje nga opozita. Çështja ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë një aktgjykim që interpretimi i tij vazhdon të jetë i diskutueshëm mes partive.
Sipas Kushtetutës, legjislatura e re ka një afat prej një muaji për t’u konstituuar – afat që po shkon drejt përfundimit. Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar qartësi mbi hapat që duhet të ndërmerren.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë theksuar se Vetëvendosje nuk i ka votat për të formuar as Qeverinë, duke kërkuar një marrëveshje politike të gjerë. Pavarësisht kësaj, VV-ja ka thënë se hapi i parë duhet të jetë konstituimi i Kuvendit përmes votimit.
Që nga seanca e parë e mbajtur më 15 prill, çdo 48 orë janë thirrur vazhdime, të cilat po përfundojnë në të njëjtën mënyrë – pa kuorum dhe pa marrëveshje politike. Kjo krizë po rrit frustrimin qytetar dhe po e zgjat vakumin institucional në vend.















