Avokati Emrush Kastrati ka shprehur dyshime për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke paralajmëruar se ai mund të mos i mbijetojë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese.
Në FIVE në TV Dukagjini, Kastrati theksoi se Kosova tashmë ka institucione që merren me hetimin e pasurisë së kundërligjshme, duke e bërë të diskutueshme nevojën për një mekanizëm të ri si Byroja.
“Ne kemi organe të cilat përcjellin gjithçka dhe hetojnë gjithçka në drejtim të fitimit të pasurisë së kundërligjshme, apo fitimit të parasë në forma të kundërligjshme. Prandaj, mua me del kjo byroja sado që është pozitive, me del sikur një kuazi prokurori që pretendon në një mënyrë të verifikojë pasurinë, të cilën e kanë fituar zyrtarët publik për një periudhë të caktuar. Nuk besoj që ky duhet të kalojë edhe në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht mundësisë që mund të kaloj në parlament, ngase mazhoranca ka shumicën dhe varet se si do të përcillet më tutje. Megjithatë unë gjykoj për një periudhë kaq të shkurt, qeveria nuk ka mundur t’i eliminoj të gjitha ato vërejtje që i ka dhënë Kushtetuesja në janar të këtij viti…
Mirëpo gjykoj se prapë se prapë do të dështoi ky ligj. Edhe ka me has në pengesë në Gjykatën Kushtetuese. Se s’mund të kaloj kësisoj një ligj i tillë, për të sulmuar njerëz pa nevojë”, ka thënë Kastrati.
Ndërkaq sot gjatë ditës, Komisioni për Legjislacion ka miratuar projektligjin me shumicë votash.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka rrëzuar dy herë këtë ligj në të kaluarën, duke e shpallur në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke evidentuar shkelje procedurale gjatë miratimit.