Kastrati: Rasti përfshin veprimtari kriminale që shtrihen deri në Ekuador, dënimet mund të kalojnë 10 vjet
Emrush Kastrati, avokat në një linjë direkte në FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me operacionin e policisë ku u arrestuan ditë më parë 22 persona. Ai ka thënë se personat e arrestuar, përmes mbrojtësve të tyre, e kanë të drejtën për ankimim pas caktimit të paraburgimit nga ana e gjykatës. “Në këto raste, […]
Emrush Kastrati, avokat në një linjë direkte në FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me operacionin e policisë ku u arrestuan ditë më parë 22 persona.
Ai ka thënë se personat e arrestuar, përmes mbrojtësve të tyre, e kanë të drejtën për ankimim pas caktimit të paraburgimit nga ana e gjykatës.
“Në këto raste, kur caktohet paraburgimi nga ana e gjykatës, palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë ndaj vendimit për caktim të paraburgimit dhe, natyrisht, që Gjykata e Apelit do të vendosë lidhur me ankesat e palëve në procedurë,” ka thënë ai.
Ai ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar në këtë çështje penale ku është përdorur aplikacioni SKY ECC.
“Ekziston dyshimi i bazuar në këtë çështje penale, për të cilën edhe Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit në gjykatë, ku gjykata caktoi paraburgimin ndaj 22 të dyshuarve për veprat penale që ndërlidhen me shitblerjen e narkotikëve, krimin dhe shpëlarjen e parave,” ka thënë ai.
Avokati Kastrati ka thënë se një vepër e tillë penale, varësisht nga provat, meqë kemi të bëjmë me një vepër e cila shtrihet deri në Ekuador, dënimet janë të ashpra ku mund të sillen në mbi 10 vite.















