Katër mbetje mortore zhvarrosen në Jabukë të Vogël, vijojnë gërmimet në Kalludër

Gërmimet vlerësuese në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë, në Komunën e Zubin Potokut, kanë vazhduar edhe këtë të hënë, ndërsa gjatë punimeve në Jabukë të Vogël janë zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave, që sipas vlerësimeve fillestare dyshohet se u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se, për shkak të specifikave të terrenit, aktivitetet e 3 gushtit janë përqendruar në lokacionin e Jabukës së Vogël.

“Gjatë gërmimeve të zhvilluara sot në Jabukë të Vogël janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër (4) personave, që sipas vlerësimeve fillestare, u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës”, thuhet në njoftim.

Sipas Komisionit, mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme mjekoligjore dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së.

“Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme mjekoligjore, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së”, thuhet më tej.

Autoritetet kanë bërë të ditur se puna në terren nuk do të ndalet, pasi gërmimet do të vazhdojnë edhe në lokacionin e Kalludrës, si dhe në çdo vend tjetër ku do të ketë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.

“Në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet vlerësuese në lokacionin e varrit masiv në Kalludër, ku janë zhvilluar punime edhe gjatë javës së kaluar, si dhe në çdo lokacion tjetër të shënjuar dhe në adresim të çdo informacioni që mund të kontribuojë në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës”, thekson Komisioni.

Në njoftim bëhet e ditur se gërmimet dhe zhvarrimet janë kryer nga ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë ekspertët e EULEX-it të angazhuar në kuadër të IML-së, me mbështetjen e Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur të Policisë së Kosovës, njësive të tjera policore, institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, Shoqatës për Kërkim-Shpëtim dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Komisioni ritheksoi se mbetet i përkushtuar për të vazhduar punën në koordinim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar që, në koordinim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, të vazhdojë punën profesionale për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës, në përmbushje të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, përfundon njoftimi.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika