Këtë vit çmimi tradicional “Shaban Jashari” për mësuesen/in e vitit, në shënim të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, iu nda katër mësimdhënësve që vijnë nga Komuna e Istogut, Komuna e Obiliqit, ajo e Prishtinës dhe e Rahovecit.

Ndërsa, mirënjohje morën gjithsej 28 mësimdhënës.

Në ceremoninë e dhënies së çmimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka çmim e vlerësim të drejtë për mësuesen dhe mësuesin e mirë nëse çmimi nuk mbart një emër që ta ketë përkryer këtë funksion.

Prandaj, siç ka thënë ai, për mësuesin ne nuk themi se ai kryen një funksion, por themi se mësuesi kryen një mision, sepse misioni e shpreh lirinë pa cak të devotshmërisë brenda një profesioni.

“Unë vetë jam udhëhequr aq shpesh nga figura e mësuesit”, ka deklaruar duke bërë më pastaj një reflektim mbi misionin e mësimdhënies në shoqëri.

“Ajo klasifikon, pedagogjizon mbi masën e pamendueshme të dijeve dhe formave që janë regjistruar në mijëvjeçar, i lidh këto dije mes tyre dhe i bën të qasshme për një brez që hyn si rishtar në bashkësinë e gjithanshme e të pamatshme të njohjeve. Pedagogjia është edhe art edhe dije. Duhet shumë art për të dhënë bindshëm këtë sasi dijesh”, ka deklaruar Kurti, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se sot është një ditë kur publikisht i gjithë vendi i përulet kontributit të mësimdhënësve.